Dy shtetas shqiptarë janë arrestuar nga policia britanike nën dyshimin për tentim vjedhjeje dhe hyrje të paautorizuar në pronën Anmer Hall, rezidencën e fshatit që përdoret nga princi William dhe bashkëshortja e tij, Kate Middleton.
Sipas gazetës gjermane Bild, e cila i referohet raportimeve të “Daily Mail”, dy të dyshuarit nuk e kishin kuptuar se prona ku po tentonin të hynin i përkiste familjes mbretërore britanike.
Ngjarja ndodhi të hënën në mbrëmje, në pronën mbretërore Sandringham, në Norfolk të Anglisë, transmeton Telegrafi.
Policia u njoftua pak para orës 18:00 për aktivitete të dyshimta në këtë zonë, pas së cilës nisi një operacion i gjerë kërkimi, ku u angazhuan policë, qen gjurmues, dronë dhe një helikopter.
Në fund të operacionit, dy burra u arrestuan nën dyshimin për vjedhje dhe hyrje të paautorizuar. Sipas policisë, ata vazhdojnë të jenë në paraburgim, ndërsa hetimet për rastin janë në zhvillim.
Sipas informacioneve të publikuara nga Daily Mail dhe të cituara nga Bild, të dyshuarit janë shqiptarë.
Njëri prej tyre dyshohet se qëndronte ilegalisht në Britani dhe më herët kishte paraqitur kërkesë për azil, ndërsa statusi i qëndrimit të personit të dytë ende nuk është bërë i qartë.
Rezidenca Anmer Hall ka dhjetë dhoma gjumi dhe ndodhet në pronën mbretërore Sandringham.
Ajo iu dhurua Williamit dhe Kate nga Mbretëresha e ndjerë Elizabeth II me rastin e martesës së tyre në vitin 2011. Çifti e përdor këtë pronë për pushime dhe qëndrime gjatë fundjavave, transmeton Telegrafi.
Në momentin e incidentit, princi William, Kate dhe tre fëmijët e tyre nuk ndodheshin në rezidencë, por në Windsor.
Ndërkohë, sipas raportimeve, mbreti Charles III ndodhej në një pronë tjetër të tij, rreth 4.8 kilometra larg vendit të ngjarjes.
Autoritetet britanike po hetojnë rrethanat e incidentit dhe motivet e mundshme të të dyshuarve.
Deri më tani nuk është bërë e ditur nëse nga prona është vjedhur ndonjë gjë, ndërsa Pallati Kensington nuk ka komentuar rastin, duke iu referuar politikës së tij për çështjet e sigurisë së familjes mbretërore./Telegrafi/





