“Është një kontratë për të cilën nuk kemi qenë në dijeni, janë shitur të drejtat e autorit”, Gjesti dorëzon kallëzim penal ndaj “Onima”

Gjesti ka ndërmarrë hapa ligjorë duke dorëzuar kallëzim penal ndaj kompanisë Onima, duke pretenduar shkelje të të drejtave të autorit. Artisti dhe avokati i tij kanë sqaruar se bëhet fjalë për një kontratë për të cilën ai nuk ka pasur dijeni dhe që, ...

Magazina
Reklame

Gjesti ka ndërmarrë hapa ligjorë duke dorëzuar kallëzim penal ndaj kompanisë Onima, duke pretenduar shkelje të të drejtave të autorit.

Artisti dhe avokati i tij kanë sqaruar se bëhet fjalë për një kontratë për të cilën ai nuk ka pasur dijeni dhe që, sipas tyre, përbën vepër penale.

Gjesti: “Sot e kemi bërë një kallëzim penal ndaj kompanisë Onima dhe asgjë s’po lypim më shumë as më pak, veç të drejtën time dhe të jem i lirë, asgjë tjetër, vetëm paratë e mia. Thjesht, për më shumë rreth kësaj, edhe avokati im”.

Avokati: “Siç tha edhe Gjesti, sot sapo e dorëzuam kallëzimin penal. Në bazë të ligjit për të drejtat e autorit, të gjithë e dimë që të drejtat ekonomike janë të drejta që i takojnë ekskluzivisht vetëm autorit. Gjesti na ka paraqitur një kontratë, në bazë të së cilës janë shitur të drejtat e autorit dhe aty figuron si palë nënshkruese edhe Gjesti.

Gjesti asnjëherë nuk e ka nënshkruar atë kontratë, asnjëherë nuk ka qenë në dijeni të ekzistimit të saj dhe as që e ka parë më herët. Në bazë të Kodit Penal, këto veprime që gjenden në atë kontratë, si edhe pasojat që kanë derivuar prej saj, përbëjnë vepër penale që sanksionohet sipas Kodit Penal. Për këto arsye kemi paraqitur kallëzimin penal.

Bëhet fjalë për dy vepra penale, të cilat pretendojmë se janë kryer në bashkëkryerje. Natyrisht, kemi propozuar që të ndërmerret edhe ekspertiza e grafologjisë për evidentimin e nënshkrimit, nëse është nënshkruar nga Gjesti apo nga ndonjë person tjetër. Besojmë që ka prova të mjaftueshme dhe mirëpresim fillimin e hetimeve nga prokuroria. Ne jemi të gatshëm të ofrojmë mbështetje dhe prova shtesë, çdo gjë që konsiderohet e nevojshme”.

Kur është nënshkruar kontrata? “E gjithë kjo do të merret vesh shumë shpejt, sepse ka shumë gjëra për pesë vjet që kanë ndodhur dhe kurrë s’kemi dashur t’i bëjmë të mëdha. Gjithmonë kemi dashur të merremi vesh me fjalë, por nuk kemi gjetur rrugë. Unë vetëm të miat i dua, as më pak dhe as më shumë, kështu që gjithçka mbetet për t’u pare”.

Avokati sqaron se bëhet fjalë për një kontratë të re, të zbuluar rishtazi, dhe jo për kontratën paraprake. “Kjo është një kontratë për të cilën ne nuk kemi qenë në dijeni. Janë shitur të drejtat e autorit të Gjestit dhe persona të tjerë kanë përfituar nga arti i tij, pa dijeninë, pa autorizimin dhe pa nënshkrimin e tij. Presim fillimin e hetimeve dhe që personat përgjegjës të përgjigjen dhe të dënohen sipas ligjit”.

Në fund, Gjesti falënderon fansat e tij, duke thënë se kurrë nuk e kanë lënë vetëm dhe se as ai nuk do t’i lërë ata. “Sapo të përfundojë kjo, do të vijnë shumë gjëra të reja”. /Telegrafi/