Kryetari i Kuvendit në Serbi ia ndali mikrofonin Vuçiqit, ky reagoi me nervozizëm dhe u largua nga salla

Bota

Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Aleksandar Çupiq, ia ka ndërprerë mikrofonin ish-presidentit serb dhe aktualisht shefit të grupit parlamentar të opozitës nga Partia Përparimtare Serbe (SNS), Aleksandar Vuçiq, pasi ky i fundit tejkaloi dy minutat e lejuara për replikë. Vuçiq kishte kërkuar fjalën për t’iu përgjigjur nënkryetares së Kuvendit, Sara Valentik, nga Lista Studentore. Mirëpo, […]

Madhësia e shkronjave

Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Aleksandar Çupiq, ia ka ndërprerë mikrofonin ish-presidentit serb dhe aktualisht shefit të grupit parlamentar të opozitës nga Partia Përparimtare Serbe (SNS), Aleksandar Vuçiq, pasi ky i fundit tejkaloi dy minutat e lejuara për replikë.

Vuçiq kishte kërkuar fjalën për t’iu përgjigjur nënkryetares së Kuvendit, Sara Valentik, nga Lista Studentore. Mirëpo, pasi Çupiq ia fiku mikrofonin, ai u ngrit nga vendi dhe doli nga salla.

Gjatë fjalimit të Vuçiqit, kryeparlamentari fillimisht i tregoi orën, për t’i sinjalizuar se koha kishte përfunduar, ndërsa më pas ia ndërpreu mikrofonin. Në shenjë reagimi, Vuçiq duartrokiti në mënyrë ironike.

Çupiç shpjegoi se, pas përfundimit të kohës së caktuar, deputetëve u lejohet të përfundojnë fjalinë që kanë nisur, por më pas mikrofoni u ndërpritet. Ai theksoi se ky rregull vlen njësoj për të gjithë deputetët.

Vendimi shkaktoi reagimin e ashpër të Vuçiqit, i cili nisi të bërtiste: “Unë kurrë nuk e kam përfunduar fjalinë”, transmeton Telegrafi.

“Ju tani po flisni pa ju dhënë unë fjalën”, iu përgjigj Çupiq, pas së cilës Vuçiq u largua nga salla.

Debati nisi pasi Valentik kërkoi falje për një deklaratë të bërë javën e kaluar ndaj deputetëve të SNS-së. Ajo sqaroi se nuk dëshiron t’ia mohojë askujt të drejtën për të shprehur mendimin, por e konsideron të padrejtë praninë në Kuvend të personave që, sipas saj, gjatë 14 viteve të fundit i kanë shkaktuar dëme të mëdha Serbisë.

Vuçiq e cilësoi kërkimfaljen e saj si një “manovër të ulët” dhe pretendoi se ajo duhej të përjashtohej nga seanca.

Megjithatë, gjatë vazhdimit të mbledhjes, Vuçiq u kthye në sallë dhe iu bashkua sërish debatit. Kryeparlamentari Çupiq ia ndërpreu mikrofonin edhe disa herë të tjera për shkak të tejkalimit të kohës së lejuar.

Vërejtje mori edhe ish-kryetarja e Kuvendit, Ana Brnabiç, pasi foli pa marrë lejen e kryesuesit të seancës.

Çupiq u zgjodh kryetar i Kuvendit të Serbisë javën e kaluar, pas disa ditësh debatesh të tensionuara. Që në atë kohë, ai pati një përplasje verbale me Vuçiqin, të cilit i shqiptoi edhe një vërejtje.

Të gjashtë pozitat e nënkryetarëve në përbërjen e re të Kuvendit iu takuan deputetëve të Listës Studentore.

Në seancën e sotme, deputetët po zgjedhin anëtarët e komisioneve parlamentare dhe delegacioneve të përhershme në institucionet ndërkombëtare. Në fillim të mbledhjes, Vuçiq njoftoi se SNS-ja nuk do të marrë pjesë në punën e komisioneve. /Telegrafi/