SHBA-ja mund t’i ofrojë Ukrainës deri në 60 aeroplanë luftarakë F-15 të nxjerrë nga shërbimi

Bota

Një ish-gjeneral-lejtnant i Forcave Ajrore të SHBA-së, David Deptula, ka propozuar që Uashingtoni t’i ofrojë Ukrainës deri në 60 avionë luftarakë F-15C/D Eagle, të cilët janë nxjerrë nga shërbimi dhe aktualisht ruhen në shkretëtirën e Arizonës. Në një opinion të publikuar të hënën, më 23 nëntor, në revistën Forbes, Deptula i bëri thirrje Pentagonit të […]

Madhësia e shkronjave

Një ish-gjeneral-lejtnant i Forcave Ajrore të SHBA-së, David Deptula, ka propozuar që Uashingtoni t’i ofrojë Ukrainës deri në 60 avionë luftarakë F-15C/D Eagle, të cilët janë nxjerrë nga shërbimi dhe aktualisht ruhen në shkretëtirën e Arizonës.

Në një opinion të publikuar të hënën, më 23 nëntor, në revistën Forbes, Deptula i bëri thirrje Pentagonit të inspektojë avionët dhe të përcaktojë se sa prej tyre mund të rikthehen në gjendje operacionale, të pajisen dhe t’i transferohen Ukrainës.

Ai sugjeroi se nga rreth 240 avionët F-15C/D të vendosur në magazinim, 50 deri në 60 mund të jenë të përshtatshëm për t’u vënë në dispozicion të Kievit, transmeton Telegrafi.

Avionët me dy motorë po zëvendësohen gradualisht nga modelet F-35 dhe F-15EX. Shumë prej tyre ruhen në qendrën Aerospace Maintenance and Regeneration Group, në bazën ajrore Davis-Monthan, në Arizona, e njohur si vendgrumbullimi i avionëve të nxjerrë nga shërbimi.

Deptula tha se kishte bashkëpunuar me drejtues të Forcave Ajrore të Ukrainës për operacionet ajrore dhe se e kishte parë nga afër presionin me të cilin përballet flota ajrore e Kievit. Ai mbështeti edhe deklaratat e fundit të presidentit Volodymyr Zelensky, sipas të cilit Ukraina ka nevojë për dyfishin e numrit aktual të avionëve, ndërsa përpiqet të mbajë në fluturim flotën e vjetruar të F-16-ve.

“Ukrainës i duhen më shumë avionë luftarakë, por edhe kapacitetet e mirëmbajtjes për t’i mbajtur ata në fluturim”, shkroi Deptula.

Sipas tij, F-15C janë veçanërisht të përshtatshëm për mbrojtjen ajrore, pasi radari i tyre ofron rreze dukshëm më të madhe zbulimi, gjurmim më të mirë dhe besueshmëri më të lartë krahasuar me radarët e avionëve që përdor aktualisht Ukraina.

Ai vuri në pah edhe armatimin e avionëve Eagle. Ata mund të mbajnë tetë raketa ajër-ajër dhe kanë një top 20-milimetërsh me 940 fishekë, krahasuar me 511 fishekë që mban topi i F-16-ve.

Këto kapacitete, sipas tij, do të ishin të dobishme për rrëzimin e dronëve dhe raketave kruz, pa pasur nevojë që Ukraina të shpenzojë raketa të kushtueshme të sistemeve të mbrojtjes ajrore.

Deptula sugjeroi që operacionet mbrojtëse ajrore të kryheshin kryesisht nga F-15-të, duke ulur ngarkesën mbi flotën e F-16-ve dhe duke i liruar këta të fundit për sulme dhe detyra të tjera shumëfunksionale.

Një nga argumentet kryesore të tij është koha. Sipas opinionit të publikuar në Forbes, vonesat në porositë e avionëve të rinj F-16, Gripen dhe Rafale bëjnë që dërgesat e mëdha për Ukrainën të mos realizohen para vitit 2028. Ndërkohë, avionët F-15 të nxjerrë nga shërbimi mund të përbëjnë një alternativë më të shpejtë dhe me kapacitete më të avancuara.

Ai theksoi se avionët që partnerët evropianë kanë premtuar t’i ofrojnë Ukrainës, përfshirë F-16, Mirage, Gripen dhe Rafale, nuk do të mbërrijnë në numrat e nevojshëm para vitit 2028.

Sipas Deptulës, dërgesa e fundit e avionëve F-15 në vendgrumbullimin në Arizona u bë në tetor të vitit 2025, çka mund ta bëjë relativisht të shkurtër procesin e përgatitjes së tyre për t’u rikthyer në fluturim.

Megjithatë, ai pranoi se Ukraina do të kishte nevojë për trajnimin e pilotëve dhe inxhinierëve, furnizimin me armë, si dhe mbështetje për mirëmbajtjen brenda dhe jashtë vendit.

Në përfundim, ish-gjenerali i bëri thirrje administratës së Donald Trumpit që t’i kërkojë Forcave Ajrore amerikane të inspektojnë avionët F-15C/D dhe të përcaktojnë nëse, si dhe sa shpejt, mund të rikthehen në përdorim.

“Nëse avionët mund ta forcojnë ndjeshëm mbrojtjen ajrore të Ukrainës, brenda një afati dhe buxheti që Uashingtoni mund ta përballojë, SHBA-ja duhet t’i transferojë”, shkroi Deptula. /Telegrafi/