Reperi i njohur shqiptar Capital T ishte i pranishëm në tribunat e stadiumit Tehelné Pole në Bratislava, për të ndjekur nga afër ndeshjen mes Kosova dhe Sllovakia.
Takimi përfundoi me rezultat 4-2 në favor të Kosovës, duke i dhënë përfaqësueses një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit historik. Fitorja e çoi Kosovën në finalen e play-offit për katër vendet e fundit të rezervuara për Kupën e Botës, duke rritur entuziazmin te tifozët dhe figurat publike shqiptare.

Capital T, i cili është edhe djali i kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ndau disa video në rrjetet sociale ku shihej duke përjetuar nga afër atmosferën festive. Ai ishte i pranishëm jo vetëm në tribuna, por edhe në ambientet e brendshme, duke festuar me lojtarët e Kosovës në zhveshtore.
Në një prej publikimeve, reperi shkroi: “1 Hap Larg Kupës së Botës, kjo ndjenjë nuk përshkruhet”.
Ai gjithashtu publikoi edhe një fotografi me futbollistin Albian Hajdari, duke ndarë momentet e festës pas suksesit të madh të përfaqësueses.
Atmosfera e krijuar pas fitores ka qenë elektrizuese, ndërsa Kosova tashmë është vetëm një hap larg realizimit të ëndrrës për t’u kualifikuar në Kupën e Botës, një arritje që do të hynte në historinë e futbollit kosovar. /Telegrafi/





