Përfaqësues të mediave të pavarura nga Moldavia, Ukraina, Armenia, Kosova dhe Bosnja (Ballkani Perëndimor) morën pjesë në një diskutim dyditor mbi integritetin e informacionit, organizuar nga IMS (International Media Support).
Gjatë dy ditëve të charette-it, pjesëmarrësit ndanë modelet e tyre të suksesshme të redaksive, testuan strategji “prebunking” dhe morën këshilla të mëtejshme nga ekspertët për mënyrat se si redaksitë mund të vlerësojnë dhe të përgjigjen ndaj kërcënimeve ndaj informacionit.

Ky aktivitet pason Konferencën e Kopenhagenit mbi Integritetin e Informacionit në nëntor dhe synon të shndërrojë iniciativat e suksesshme lokale në zgjidhje që mund të zbatohen në mbarë sektorin e zhvillimit të mediave.
“Nuk është thjesht një punëtori, nuk është thjesht një konferencë, nuk është thjesht një bisedë. Është gjithmonë e mbështetur nga implementimi i vërtetë në terren. Është një proces i vazhdueshëm, është mësim i vazhdueshëm, është shkëmbim i vazhdueshëm përvojash”, tha drejtoresha Rajonale e Departamentit Europian të IMS, Gulnara Akhundova.
Programi u mbështet nga Ministria Suedeze për Çështjet e Jashtme, FCDO, Norad, Udenrigsministeriet dhe Sida – Styrelsen för Internationellt Utvecklingssamarbete, ndërsa charette-i u organizua me mbështetjen e Folke Bernadotte Academy./Telegrafi.





