“E kam ni krismën e armës edhe m’ka thanë ik zhduku”, Granit Plava jep versionin e tij për natën kritike kur u vra Liridona Ademaj

I akuzuari Granit Plava gjatë dhënies së mbrojtjes të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë tha se kishte marrëveshje me të akuzuarin Naim Murseli për ta marrë përgjegjësinë e vrasjes së Liridona Ademajt dhe se të gjitha veprimet e tij ishin në b...

Nacionale

I akuzuari Granit Plava gjatë dhënies së mbrojtjes të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë tha se kishte marrëveshje me të akuzuarin Naim Murseli për ta marrë përgjegjësinë e vrasjes së Liridona Ademajt dhe se të gjitha veprimet e tij ishin në bazë të asaj që ishte marrë vesh me Murselin.

Plava dha versionin e tij për ngjarjen, duke treguar kronologjinë e gjithë asaj që pretendon se ndodhi në ditën kur u vra Liridona Ademaj më 29 nëntor 2023, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Herën e fundit, ai thotë se me Murselin u takuan në një pompë derivatesh ku ishte duke punuar pasi e kishte telefonuar dhe pyetur se ku është. Tha se Kushtrim Kokalla nuk ka qenë pjesë e takimit, dhe se me këtë të fundit vetëm në fillim janë takuar ngase më nuk është përfshirë edhe pse nuk e di a kishte dijeni për rastin.

Atë ditë, Plava thotë se Murseli nuk ishte fare i qetë dhe qëndronte vazhdimisht në telefon, para se të mbërrinin në restorantin ku ishin nisur për të ngrënë, Naimi i kishte thënë se po kthehen në Gjakovë.

Duke folur për blerjen e armës, Granit Plava dha versionin e tij. Ai tha se kur kishin shkuar në vendin ku e blenë armën, i pari e provoi Murseli dhe herën e dytë ai.

“E ka marrë Naimi revolen, e ka shti në xhep edhe kemi shku me i ndërru gomat edhe ky e kish ba planin me i marrë fishekët deri t’i ndërrojmë gomat”, tha ai.

Pas kësaj, sipas tij, Naim Murseli i kishte thënë se duhej të niseshin për në Prishtinë, e që e kishte marrë një veturë me qira. Rrugës, tha se e telefonoi tani e ndjera Liridona, dhe se veturën e Naimit e kishte vozitur ai deri në fshat kur kishin shkuar për ta marrë veturën me qira, të cilën ia kishte paguar Naimi bashkë me karburantin.

Sipas Granit Plavës, e përcolli Naim Murselin deri te rasti ku ndodhi vrasja, ku sipas tij, ai i kishte thënë se do të shkonte e do qëndronte aty para veturës. Tha se veproi si i ka thënë Murseli.

Gjithnjë sipas Plavës, Naim Murseli ia dha lokacionin e restorantit ku më pas kanë shkuar me Liridonën dhe fëmijët. Tha se kur arriti aty, qëndroi në një skaj, derisa ia dha sinjalin Naimi për t’u nisur.

“Unë u nisa për Gjakovë, s’kam ba as 10 metra rrugë, m’ka thirrë edhe një herë në telefon me thirrje të rregullt m’ka thanë ku je edhe e ka ndal. Tani më ka shkru, i thash jam tu shku n’shpi, ma bani t’kam thanë me ardhë te vendi i ngjarjes, i kam thanë nuk e di ku je ti, i kam thanë te pompa- te cila nuk m’ka tregu veç ma ka çu lokacionin te vendi i ngjarjes edhe njëherë rrugës u vonova se ish kanë një aksident te semaforat”, thotë Plava.

Kur arriti në vendin e ngjarjes, i akuzuari Plava thotë se qëndroi sikur i kishte thënë Naimi.

“Para se me shku te vendi i ngjarjes ky kish mbërri te një shitore, ish ndal kur e ka pa kerrin tem që u shku teposhtë. Edhe unë jam ndal me prit ku m’ka thanë ky, ky si e ka pa kerrin tem u ndal 10-15 metra, e kam ni krismen e armës, u ardhë ma ka gjujt armën edhe ka thanë ik zhduku, por unë e kam dëgju krismën”, tha Plava.

Pas kësaj, Plava thotë se hipi në veturë dhe me vrap iku nga vendi i ngjarjes bashkë me armë.

Paraprakisht, i akuzuari Granit Plava tha se familjen e Naim Murselit i ka njohur si milionerë, duke shtuar se edhe shtëpia e tyre në fshat është në vlerë rreth 300 mijë euro.

Më pas, Granit Plava tha se tash e tutje dëshiron ta shfrytëzojë të drejtën që të mbrohet në heshtje. /BetimipërDrejtësi/