Hamza: PDK do të respektojë vendimin e Kushtetueses, ende pa qëndrim për kompromis dhe pa ftesë nga Kurti

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka deklaruar se subjekti që ai drejton do të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar rëndësinë e zbatimit të vendimeve të institucioneve më të larta juridike në vend. Ai ...

Nacionale

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka deklaruar se subjekti që ai drejton do të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar rëndësinë e zbatimit të vendimeve të institucioneve më të larta juridike në vend.

Ai bëri të ditur se gjatë ditës së sotme pritet të mbahet mbledhja e Kryesisë dhe e grupit parlamentar të PDK-së, ndërsa në ditët në vijim është planifikuar edhe një takim i Këshillit Drejtues.

Sipas tij, në këto mbledhje do të diskutohen qëndrimet dhe pozicionet e partisë, për të dalë më pas me një qëndrim zyrtar të bazuar në vendimet e organeve të saj.

“Ne jemi shprehur qartë që PDK e respekton vendimin e Kushtetueses, sepse duhet të respektohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Sot kemi mbledhje të Kryesisë, grupit parlamentar, ndërsa ditëve në vijim presim të kemi edhe mbledhje të Këshillit Drejtues. Do të diskutojmë qëndrimet tona, pozicionin tonë dhe mbi bazën e vendimeve të organeve të PDK-së do të dalim zyrtarisht me qëndrimin tonë”, ka theksuar Hamza.

Ai shtoi se çdo diskutim lidhur me mundësinë e ndonjë kompromisi duhet të kalojë përmes strukturave vendimmarrëse të partisë, duke theksuar se deklarimet paraprake nuk janë të përshtatshme.

“Gjithçka që flasim para diskutimit në organet e PDK-së nuk është e duhura, për shkak se ato janë forumet ku duhet të diskutohet dhe të merren vendime, e pastaj të qëndrohet në këto vendime”, ka deklaruar ai.

I pyetur nëse ka marrë ftesë nga kryeministri Albin Kurti për të biseduar lidhur me kandidatin për president, Hamza u përgjigj shkurt: “Nuk ka ftesë”. /Telegrafi/