Ish-kryetari i Podujevës dhe drejtuesi i degës së LDK-së në këtë qytet, Agim Veliu, ka dërguar një mesazh për anëtarët, aktivistët dhe kontribuesit e kësaj partie me rastin e 36-vjetorit të themelimit të Degës së LDK-së në Podujevë.
Në reagimin e tij, Veliu ka përkujtuar historinë dhe rëndësinë e degës së Podujevës si një nga bastionet më të forta të LDK-së dhe si pjesë e projektit më të madh politik dhe kombëtar në historinë e Kosovës, që bashkoi qytetarët rreth idealeve të lirisë, demokracisë dhe shtetndërtimit.

Megjithatë, sipas tij, realiteti aktual është ndryshe.
“Nga një bastion i pathyeshëm, kjo degë është shndërruar në një strukturë humbëse, e cila nuk është rastësi, por pasojë e një udhëheqjeje që ka humbur lidhjen me bazën, ka përçarë strukturat dhe ka zëvendësuar vlerat me interesa të ngushta”, ka shkruar Veliu.
Ai ka theksuar nevojën për rikthim te vlerat, bashkim të sinqertë dhe qasje që rikthen besimin e humbur të qytetarëve.
“Respekti për të kaluarën tonë na obligon të mos lejojmë rrënimin e mëtutjeshëm. Urime të gjithëve!”, ka shtuar ish-kreu i Podujevës./Telegrafi.





