Prokuroria Themelore në Prishtinë ka lëshuar autorizime shtesë për Policinë e Kosovës lidhur me rastin e keqtrajtimit të 5-vjeçarit në Lipjan, duke kërkuar veprime hetimore për të shqyrtuar edhe përgjegjësinë eventuale të zyrtarëve të Qendrës për Punë Sociale dhe zyrtarëve tjerë kompetentë të kësaj komune.
Në njoftimin e publikuar nga Sistemi Prokurorial, thuhet se “Prokuroria Themelore në Prishtinë ka lëshuar autorizim Policisë së Kosovës për ndërmarrjen e veprimeve shtesë lidhur me rastin e keqtrajtimit të fëmijës 5 vjeçar në komunën e Lipjanit”.

Sipas Prokurorisë, ky autorizim ka për qëllim ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore për të sqaruar përgjegjësinë eventuale të zyrtarëve përgjegjës.
“Qëllimi i këtij autorizimi lidhet me ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore për të identifikuar përgjegjësinë eventuale të zyrtarëve të Qendrës për Punë Sociale në Lipjan, apo zyrtarëve tjerë kompetent të kësaj komune, që kanë pasur kontribut direkt apo indirekt në shkaktimin e pasojave në këtë çështje konkrete”, thuhet në njoftim.
Tutje, Prokuroria ka theksuar përkushtimin për trajtimin e rasteve që lidhen me mbrojtjen e fëmijëve.
“Prokurori i shtetit, me përkushtim të lartë kujdeset për të ndjekur kryerësit e mundshëm e veprave penale dhe për të zbardhur kryerjen e këtyre veprave, e me theks të veçantë në rastet kur kemi të bëjmë me mbrojtjen e fëmijëve, si një kategori e ndjeshme e shoqërisë”, theksohet në reagim.





