Futbolli afrikan vazhdon të vuajë nga problemet e besimit dhe pikëpyetjet rreth integritetit të tij, tha presidenti i Konfederatës së Futbollit Afrikan (CAF), Patrice Motsepe, pasi Senegalit iu hoq titulli i Kupës së Kombeve të Afrikës.
Futbolli afrikan u trondit nga një nga skandalet më të mëdha në histori. Dy muaj pas finales së Kupës së Kombeve të Afrikës, Senegalit, i cili fitoi në fushë, iu hoq titulli dhe iu dha Marokut me rezultatin zyrtar 3-0.
Vendimi u mor sepse lojtarët e Senegalit, të indinjuar nga vendimet e gjyqtarit, u larguan nga fusha për një kohë, pastaj u kthyen dhe fituan finalen në mënyrën e rregullt.

Kryetari i futbollit afrikan, Patrice Motsepe, i cili mban barrën kryesore të këtij skandali epik, ka mbrojtur vendimin e Komitetit të Ankesave të organizatës së tij për t’ia dhënë titullin e Kupës së Kombeve të Afrikës, Marokut, pasi mbështeti protestën e tyre ndaj rezultatit të finales së 18 janarit.
Senegali, i cili fitoi 1-0 në Rabat, u largua nga fusha për 14 minuta në shenjë proteste ndaj një penalltie të dhënë për ekipin pritës, Marokun, por u rikthye për të fituar në vazhdime.
Edhe pse Komiteti Disiplinor i CAF-it e hodhi poshtë protestën fillestare të Marokut, Komiteti i Ankesave i të njëjtit organ drejtues zbuloi se Senegali kishte shkelur rregullat e turneut dhe ia dha titullin Marokut.
Motsepe, i cili u zgjodh president i CAF në vitin 2021 dhe u rizgjodh një vit më parë, tha se CAF ishte e përkushtuar ndaj lojës së ndershme dhe mohoi çdo trajtim preferencial mes perceptimeve se Maroku ka shumë ndikim mbi futbollin afrikan.
“Më thanë se Senegali do të apelojë, gjë që është shumë e rëndësishme. Secili prej 54 kombeve në Afrikë ka të drejtë të apelojë dhe ne do ta zbatojmë dhe respektojmë vendimin e marrë në nivelin më të lartë”, tha Motsepe.
Kështu, ai zbuloi se Senegali ka ende një shans për ta kthyer trofeun në duart e veta, sepse vendimi tani është në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) në Lozanë. Konfederata Afrikane do ta respektojë vendimin e CAS-it, cilido qoftë ai pas apelimit të Senegalit.
“Faktori kyç është se asnjë vend në Afrikë nuk do të trajtohet në një mënyrë më të privilegjuar ose më të favorshme se çdo vend tjetër në kontinentin afrikan”, shtoi miliarderi dhe manjati i minierave të Afrikës së Jugut. /Telegrafi/





