Drejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Mentor Hyseni, ka theksuar se mosveprimi i institucioneve ndaj bizneseve që shmangin tatimet mund të ndikojë negativisht edhe tek bizneset që operojnë në mënyrë të rregullt.
Në një diskutim në “Përballje Podcast”, ai tha se konkurrenca jolojale krijon presion mbi bizneset që i përmbushin obligimet tatimore.
“Mosveprimi i një institucioni publik si ATK-ja mund të ndikojë që edhe bizneset e përgjegjshme të bëhen të papërgjegjshme”, tha Hyseni shkruan Telegrafi.
Sipas tij, kjo situatë është e dukshme sidomos në rastet kur disa biznese në të njëjtën zonë nuk paguajnë tatimet.
“Është tipike te konkurrenca jolojale. Nëse një biznes operon në të njëjtën rrugë, për shembull një kafiteri apo restorant, dhe dy të tjera nuk paguajnë, atëherë bie motivimi i atij biznesi që paguan”, deklaroi ai.
Hyseni theksoi se në këto raste krijohet përshtypja se shmangia e tatimeve është mënyra më e lehtë për të mbijetuar në treg.
“Thotë se rruga më e mirë është me iu shmang shtetit. Nëse fiton edhe një pjesë të vogël të fitimit, për disa mund të duket e mjaftueshme”, shtoi ai.
Për të adresuar këtë problem, ATK ka nisur një projekt në nivel të gjithë territorit të Kosovës për identifikimin e bizneseve të paregjistruara.
“Në këtë aspekt kemi filluar një projekt të përgjithshëm në gjithë Kosovën që e quajmë projekti i stikersave”, tha Hyseni.
– YouTube www.youtube.com
Sipas tij, përmes këtij projekti identifikohen bizneset e regjistruara dhe ato që operojnë pa regjistrim.
“Fillimisht vendosim stikera te bizneset që janë të regjistruara, për të validuar regjistrimin dhe fiskalizimin e tyre. Pastaj identifikojmë edhe bizneset që operojnë pa regjistrim”, deklaroi ai, shruan Telegrafi.
Hyseni bëri të ditur se ATK ka bërë thirrje që bizneset të regjistrohen para fillimit të kontrolleve në terren.
“ATK fillon me kontrollin në terren në gjithë territorin e Kosovës, regjistroni biznesin dhe mos paguani ndëshkimin prej 500 euro”, tha ai./Telegrafi/.






