Qeveria ndan 500 mijë euro për qytetarët e prekur në Lindjen e Mesme

Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur sot një mbledhje elektronike, në të cilën ka shqyrtuar dhe miratuar disa vendime me rëndësi financiare dhe zhvillimore.

Në mesin e vendimeve të miratuara është kërkesa nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës për ndarjen e 500 mijë eurove për mbështetjen e qytetarëve të Kosovës të prekur nga situata e sigurisë në rajonin e Lindjes së Mesme.

Po ashtu, qeveria ka miratuar ndarjen e 1 milion e 675 mijë eurove për zbatimin e Masave 3.6 dhe 3.8 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, e cila synon mbështetjen e zhvillimit ekonomik dhe përkrahjen e sektorëve të ndryshëm në vend.

Në këtë mbledhje është aprovuar edhe autorizimi që ministri i financave të miratojë transfere nga nënprogrami “Shpenzimet e Paparashikuara” në nënprograme të tjera për shuma individuale deri në 40 mijë euro.

Gjithashtu, është miratuar ndarja e 370 mijë eurove për International Development Association, si pjesë e angazhimeve të Kosovës në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar për zhvillim.

Ndër vendimet tjera, qeveria ka aprovuar edhe propozimin nga Ministria e Financave e Kosovës për t’i rekomanduar presidentes Vjosa Osmani dhënien e autorizimit ministrit të financave për nënshkrimin e Marrëveshjes së Kredisë me KfW, në kuadër të programit për sektorin e energjisë dhe klimës në Kosovë./Telegrafi/