Kurti fton opozitën për takime rreth zgjedhjes së presidentit, ekspertët skeptikë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar të premten se do të ftojë opozitën për takime javën e ardhshme për të diskutuar procesin e zgjedhjes së presidentit të ri.

Ai e ka cilësuar si “të dëmshme dhe të gabuar” mungesën e takimeve në dy ditët e fundit para mesnatës së 5 marsit, kur Kuvendi u mblodh për votimin e presidentit.


Opozita, ndërkohë, ka pranuar ftesën për bisedime, por ka ngulur këmbë se takimet mund të zhvillohen vetëm pasi Gjykata Kushtetuese të shpallë aktgjykimin mbi çështjen e zgjedhjes së presidentit. Kjo nënvizon situatën e ndërlikuar politike dhe tensionet e vazhdueshme midis qeverisë dhe partive opozitare.

Analisti politik, Shemsi Jashari, i ftuar në emisionin FIVE në Dukagjin, ka kritikuar ftesat e kryeministrit si propagandë politike. Ai tha se, edhe po të zhvilloheshin këto takime, nuk do të kishte rezultat real:

“Zotëri Kurti po bën atë që jemi mësuar të shohim: veprimet që ndërmerr i justifikon si angazhim për të vazhduar punën, por në të vërtetë nuk ka interes për kompromis me opozitën për zgjedhjen e presidentit. Ai po synon të kontrollojë edhe këtë post, gjë që në një sistem demokratik nuk i takon dhe partitë opozitare nuk duhet ta lejonin.”

Jashari theksoi se ftesat mund të perceptohen si përpjekje serioze nga Kurti dhe mbështetësit e tij, por juridikisht ato janë të kota, pasi çdo aktivitet për zgjedhjen e presidentit është pezulluar nga Gjykata Kushtetuese.

Po ashtu, juristi Anton Ndrecaj vlerësoi se takimet e mundshme nuk do të kenë efekt juridik. Ai u shpreh se ftesa e Kurti është një konsum politik ditor dhe çdo vendim apo diskutim ligjor mbetet pezull deri në shpalljen e aktgjykimit kushtetues:

“Përderisa çështja është në Gjykatën Kushtetuese, çdo veprim politik nuk ka efekt juridik. Takimet mund të zhvillohen, por ato nuk mund të prodhojnë rezultat ligjor. Gjithçka është në dorën e partive politike për të vendosur nëse duan të takohen apo jo.”

Kjo situatë nxjerr në pah sfidat e vazhdueshme të vendit në procesin e zgjedhjes së presidentit dhe tensionet midis pushtetit dhe opozitës. Ndërkohë, qytetarët mbeten në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që pritet të përcaktojë rrugën përfundimtare për zgjedhjen e kreut të shtetit./Telegrafi/