Haradinaj apelon për unitet dhe normalitet në Kosovë

Ish-kryeministri dhe lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, përmes një postimi të gjatë në Facebook shprehur shqetësim për gjendjen e rënduar ekonomike, politike dhe të sigurisë në vend.

Sipas Haradinajt, afati kushtetues për zgjedhjen e Presidentit ka përfunduar, parlamenti është i pezulluar dhe ekziston një ngërç institucional i paparë.


Ai thekson se situata e krijuar vjen nga prioritetet personale dhe partiake të udhëheqësve, ndërkohë që vendi ka nevojë urgjente për normalitet dhe bashkim.

Haradinaj apelon që qytetarët dhe liderët të kapërcejnë interesat e tyre dhe të punojnë për të mirën e përbashkët.

Ai thekson rëndësinë e krijimit të institucioneve funksionale, ofrimit të kushteve dinjitoze për qytetarët, zhvillimin e sistemeve moderne arsimore dhe shëndetësore, mbrojtjen e pronave dhe avancimin e Kosovës drejt integrimit në NATO dhe Bashkimin Evropian.

Postimi i plotë

Të nderuar qytetarë të Kosovës,

Sot vendi ynë ka degraduar në një gjendje të rënduar e tejet të komplikuar ekonomike, politike dhe të sigurisë.

Me afat të harxhuar kushtetues për zgjedhjen e Presidentit të ri dhe me Parlament të pezulluar. Me zgjedhje të përfunduara, por me ngërç të paparë e të padëgjuar institucional.

Kjo gjendje krejtësisht jonormale dhe në dëm të Shtetit e të secilit prej jush, është krijuar për shkak se ata që do të duhej t’i jepnin zgjidhje kësaj situate, nuk e kaluan veten e tyre, por u mjaftuan me interesa personale e partiake.

Si vend e si shoqëri jemi në metrat e fundit që t’i kthehemi normalitetit.

Jemi në udhëkryqin e madh të një bashkimi të të gjithë atyre që sot janë në gjendje ta kalojnë veten e tyre për të mirën e përbashkët.

Kosova gjithmonë ka pasur njerëz që kanë ditur të pozicionohen drejt në momente të vështira;

Që kanë pasur kurajë ta bëjnë luftën, por edhe ta krijojnë paqen;

Njerëz që kanë shkrirë dije, pasuri e jetë për këtë vend;

Që kanë qëndruar dhe kanë pasur vizion që në çastet më vendimtare të rreshtohen pas aleatëve në krye me Amerikën;

Që kanë ditur si krijohen miqtë e si luftohen armiqtë;

Që kanë ditur ta bëjnë Shtetin, por edhe ta krijojnë Ushtrinë e tij;

Që t’i rikthejnë tapitë e tokave dhe të pasurive të vendit të vet;

Nga pavarësia e mbikëqyrur të bëhemi krejtësisht të mëvetësishëm, duke i realizuar të drejtat tona një e nga një…

Të gjitha këto janë themel i fortë që të shohim veç përpara dhe të mos kërkojmë fajtorë, por ta kalojmë veten tonë e të lidhemi drejt të mirës së përbashkët.

Unë dhe Aleanca jemi më të vetëdijshëm se kurrë se plot disa punë kanë mbetur pa u kryer:

Që zgjedhjet të prodhojnë institucione dhe bllokadat të kalojnë në histori;

Që njerëzit e këtij vendi të jetojnë dinjitetshëm me pagat, pensionet dhe ndihmat që u jep Shteti dhe të mos kërkojnë strehë nëpër botë;

Që më në fund ta krijojmë një sistem modern shkollor që arsimon dhe një sistem shëndetësor që shëron;

Që ta zhdukim distancën midis pushtetit dhe qytetarit, e ky i fundit të jetë sovrani i vendimmarrjes dhe të mos e detyrojmë që katër herë brenda vitit të shkojë në votime;

Shteti dhe pushteti të jenë të tij…

Ky është edhe apeli im për të gjithë ata që Kosovën e kanë në mendje dhe në zemër, në trup e në shpirt, që ta kapërcejnë veten e tyre dhe bashkërisht ta çojmë këtë vend drejt normalitetit, drejt zhvillimit, drejt NATO-s dhe BE-së.

Ta çojmë Kosovën aty ku përket, në mesin e vendeve të zhvilluara e demokratike, ta bëjmë pjesë të Familjes së demokracive perëndimore.