Muzikanti legjendar britanik Morrissey anuloi një koncert në Spanjë sepse nuk flinte mjaftueshëm

Ylli britanik i rokut Morrissey vendosi të anulojë një koncert në Valencia sepse nuk mund të flinte për shkak të zhurmës në qytet, duke zhgënjyer fansat e tij.

Në një deklaratë të publikuar në faqen zyrtare të internetit të Morrissey, u tha se koncerti i planifikuar në Valencia u bë i pamundur për t’u mbajtur për shkak të mungesës së gjumit.

Morrissey mbërriti në Valencia të mërkurën, pas një udhëtimi dy-ditor nga Milano, por gjatë natës, sipas deklaratës, gjumi i tij u ndërpre për shkak të ngjarjeve të festivalit që përfshinin këndim me zë të lartë dhe biseda përmes një megafoni, të cilat mund të dëgjoheshin edhe në dhomën e tij të hotelit.

“Kjo përvojë e la Morrissey-n në një gjendje katatonike”, thuhej në deklaratë.

Në vazhdim të njoftimit, u theksua se koncerti nuk ishte anuluar dhe se rrethanat e bëjnë koncertin të pamundur, kështu që është e paqartë nëse shfaqja do të caktohet në një datë të mëvonshme apo nëse mbajtësit e biletave do të jenë në gjendje të kërkojnë rimbursim.

Morrissey është në turne për të promovuar “makeup Is a Lie”, albumin e tij të parë në gjashtë vjet, i cili u publikua në fillim të këtij muaji. Është albumi i tij i 14-të solo që kur u largua nga The Smiths, grupi ikonik i rokut të viteve 1980.

Edhe pse fansat e adhurojnë për hitet e përjetshme si “How Soon Is Now?” dhe “Everyday Is Like Sunday”, Morrissey njihet gjithashtu për personalitetin e tij temperamental dhe pikëpamjet e ndryshueshme politike. Aktivizmi i tij për të drejtat e kafshëve, për shembull, e ka bërë atë një kritik të ashpër të luftimeve tradicionale spanjolle me dema.

Festivali Las Fallas në Valencia, një qytet në bregdetin lindor mesdhetar të Spanjës, është i njohur për festat e zhurmshme në rrugë dhe fishekzjarrët. Ai kulmon me djegien e skulpturave gjigante të punuara me dorë nga letra dhe kartoni, të cilat këtë vit do të zhvillohen më 19 mars.

Në vitin 2016, UNESCO e përfshiu Las Fallas në listën e saj të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale, dhe djegia e skulpturave është përshkruar si një formë pastrimi dhe ripërtëritjeje shoqërore. /Telegrafi/