Një grua në të 30-at, nga kantoni i Aargaut në Zvicër, është shpallur fajtore për mashtrim ndaj Postës Zvicerane, pasi përmes punës së saj në një kompani partnere të këtij shërbimi kishte manipuluar sistemin e porosive dhe kishte përfituar mijëra franga.
Sipas raportimit të mediave zvicerane, gruaja punonte në një kompani që drejtonte edhe një zyrë postare, çka i mundësonte qasje në sistemin e porosive dhe manipulimin e të dhënave për dërgesat dhe kthimet e mallrave.
Sipas aktakuzës, ajo synonte të përfitonte rreth 4 mijë franga në muaj përmes këtyre mashtrimeve, ndërsa në gjykatë e arsyetoi veprimtarinë e saj me varësinë nga bixhozi, shkruan 20 minuten.
Si funksiononte skema e mashtrimit?
Gruaja porosiste rroba, bizhuteri dhe pajisje elektronike nga dyqanet online. Më pas, përmes sistemit ku kishte qasje nga puna, regjistronte se porositë ishin kthyer, ndonëse në të vërtetë i mbante mallrat për vete dhe më vonë i shiste.
Posta i konsideronte këto dërgesa si kthime të humbura dhe u kompensonte kompanive përkatëse një pjesë të vlerës së mallrave.
Sipas aktakuzës, këtë skemë ajo e përsëriti dhjetë herë, nga korriku i vitit 2023 deri në maj të vitit 2025.
Ndërkaq, nga dhjetori i vitit 2024 deri në prill të vitit 2025, ajo regjistroi në sistem edhe dërgesa që nuk ekzistonin dhe më pas i raportoi si të humbura, me qëllim përfitimin e kompensimeve.
Në një rast, Posta pagoi 4 mijë e 500 franga për dy çanta të markës Louis Vuitton, të cilat pretendohej se kishin humbur gjatë transportit. Në një rast tjetër, u raportua zhdukja e katër dukatëve të arit, për të cilat u paguan 1 mijë e 200 franga.
Gruaja gjithashtu kishte raportuar dy herë në polici vjedhjen e pakove që, në fakt, nuk kishin ekzistuar. Ajo shpjegoi në gjykatë se i nevojitej një konfirmim nga policia për rastet e pretenduara, ndërsa për këtë u përball edhe me akuza për pengim të drejtësisë.
Varësinë nga bixhozi e paraqiti si motiv
Gjatë procesit gjyqësor, gruaja dhe avokati i saj argumentuan se veprimet ishin nxitur nga varësia e saj nga bixhozi. Ky pretendim u konfirmua edhe nga një vlerësim psikologjik.
Ajo aktualisht është në terapi dhe është përjashtuar nga të gjithë ofruesit e lojërave të fatit. Gjithashtu, kontrollin e financave familjare ia ka besuar bashkëshortit të saj, transmeton Telegrafi.
Gjykata e dënoi me nëntë muaj burgim me kusht dhe një gjobë me kusht prej 15 mijë e 400 frangash. Këto masa do të zbatohen nëse ajo kryen një vepër tjetër penale gjatë periudhës së provës prej dy vjetësh.
Përveç tyre, ajo duhet të paguajë edhe një gjobë prej 3 mijë frangash.
4.3 për qind e popullsisë në Zvicër shfaqën sjellje problematike ndaj lojërave të fatit
Ndërkohë, të dhënat e organizatës Addiction Switzerland tregojnë se në vitin 2022, 4.3 për qind e popullsisë së Zvicrës, të moshës 15 vjeç e lart, shfaqnin sjellje problematike ndaj lojërave të fatit.
Sipas Zyrës Federale të Shëndetit Publik, varësia nga kumari mund të sjellë pasoja financiare dhe sociale jo vetëm për personat e prekur, por edhe për familjet dhe rrethin e tyre shoqëror.
Sipas të njëjtave të dhëna, rreth një e treta e popullsisë nuk kishte luajtur kurrë bixhoz, ndërsa pothuajse dy të tretat merrnin pjesë në lojëra fati me rrezik të ulët./Telegrafi/





