Hazard trondit me deklaratën: Nuk do befasohesha nëse Vinicius pensionohet në moshën 30-vjeçare

Eden Hazard ka parashikuar se ylli i Real Madrid, Vinicius Junior, mund të tërhiqet herët nga futbolli, duke bërë krahasime tronditëse mes përvojës së brazilianit aktualisht dhe kohës së tij në ‘Santiago Bernabeu’.

Pavarësisht se dëmtimet i kufizuan kohën e tyre së bashku në fushë vetëm në 27 ndeshje, Hazard kaloi katër sezone duke ndarë dhomën e zhveshjes me Vinicius dhe beson se ka një njohuri unike mbi mentalitetin e lojtarit.

“Ai është thjesht dikush që e do futbollin, që e do të luajë dhe thjesht dëshiron të kënaqet. Pak si unë kur isha në fushë”.

“Tani, flasim më shumë për atë që ai bën ose çfarë duron sesa për atë që sjell në fushë. Njerëzit harrojnë sa lojtar i jashtëzakonshëm është. Duhet ta rëndojë shumë. Nuk mund të jetë e lehtë të hysh në një ndeshje dhe të mendojë vetëm për futbollin”, ka thënë fillimisht Hazard.

“Ai ka kaq shumë në mendje para një ndeshjeje, ndonjëherë mendoj, ‘Duket keq për të.’ Ai e di që do të përballet me këtë, se nuk ndodh shumë në aspektin e sanksioneve. Duhet të jetë një barrë”.

“Nuk do të habitesha nëse, në moshën 30-vjeçare, ai thotë se po largohet, se po e lë futbollin sepse, në çdo rast, asgjë nuk ndryshon”.