Mandati i Osmanit skadon më 5 prill – Cakolli shpjegon skenarin kushtetues pas kësaj date

Situata institucionale në Kosovë pas dekretit për shpërndarjen e Kuvendit dhe skadimit të mandatit të Presidentes më 5 prill, pritet të varet edhe nga vendimet e mundshme të Gjykatës Kushtetuese.

Lidhur me këtë çështje, Eugen Cakolli nga KDI ka dhënë sqarime në një prononcim për Telegrafin, se çfarë do të ndodh pas 5 prillit dhe kush mund të marrë postin e ushtruesit të detyrës në rast se nuk ka president të ri.

Cakolli thotë se aktualisht pritet një vendim i mundshëm i Gjykatës Kushtetuese lidhur me kërkesat për masë të përkohshme.

“Përveçse do të duhej që të pritet në fakt ndonjë verdikt potencial i Gjykatës Kushtetuese në raport me kërkesat për masë të përkohshme, bazuar në deklarimet publike tashmë janë dy lëndë që presin trajtim nga gjykata. Megjithatë, ekziston edhe një precedent, pasi që gjykata në rastin e njohur si ‘Pacolli’ ka përcaktuar se nuk ka vakum institucional, duke theksuar se kryetari i Kuvendit i merr kompetencat e presidentit për një periudhë të kufizuar”, u shpreh Cakolli.

Pa president të ri dhe pa zgjidhje – vazhdon kriza politike