Surroi analizon dekretin e Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit, e quan ndërhyrje në pushtetin legjislativ

Publicisti Veton Surroi ka dhënë interpretimin e tij për dekretin e shpallur më 6 mars për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, duke vënë në dyshim bazën kushtetuese të tij.

Sipas Surroit, presidenti i Kosovës ka kompetenca të përcaktuara qartë për shpërndarjen e Kuvendit dhe asnjë nga kushtet për të ushtruar këtë kompetencë nuk ishte përmbushur më 6 mars.

“Presidenti/ja i/e Kosovës ka autorizime kushtetuese, të përcaktuara shprehimisht, për të shpërndarë Kuvendin e Republikës së Kosovës në tri raste: nëse nuk formohet Qeveria brenda 60 ditëve nga emërimi i kandidatit për Kryeministër, nëse dy të tretat e deputetëve votojnë për shpërndarjen e Kuvendit dhe nëse Presidenti/ja nuk zgjidhet brenda 60 ditëve nga fillimi i procedurës për zgjedhjen e tij/saj. Këtyre tri u shtohet edhe votimi i suksesshëm i mosbesimit të Qeverisë. Asnjë nga këto kushte nuk ishte përmbushur më 6 mars, kur u shpall dekreti për shpërndarjen e Kuvendit”, ka shkruar Surroi.

Ai thekson se presidenti nuk ka autoritet për të krijuar kompetenca të reja jashtë atyre të përcaktuara nga Kushtetuta dhe se deklarimet mbi “bllokimin institucional” nuk mund të zëvendësojnë procedurat kushtetuese.

“Presidenti/ja i/e Kosovës nuk ka kompetencë diskrecionale për të interpretuar kompetencat e veta përtej asaj që përcakton Kushtetuta dhe për të ndërhyrë në proceset e pushteteve të tjera. Deklarimet për ekzistencën e një bllokimi institucional, për veprime të “njerëzve të papërgjegjshëm me qëllime të rrezikshme”, apo për një detyrim të pretenduar për të vepruar në mbrojtje të rendit kushtetues, nuk krijojnë kompetenca të reja kushtetuese dhe nuk mund të zëvendësojnë kushtet e përcaktuara në Kushtetutë për ushtrimin e një kompetence të caktuar”, është shprehur Surroi.

Publicisti nënvizon se edhe në rastin e një gjendjeje të jashtëzakonshme, veprimet e presidentit mbeten të kufizuara dhe nuk mund të anashkalojnë kontrollin e Kuvendit.

Ai vlerëson se shpërndarja e Kuvendit pa përmbushur kushtet përkatëse përbën ndërhyrje në funksionimin e pushtetit legjislativ dhe cenim të balancës institucionale.

“Edhe në rastin e gjendjes së jashtëzakonshme, Presidenti nuk vepron i vetëm: dekreti i dakorduar me Kryeministrin anulohet nëse nuk miratohet nga Kuvendi brenda 48 orësh. Kosova nuk është në gjendje të jashtëzakonshme dhe edhe sikur të ishte, veprimet e Presidentit mbeten të kufizuara nga kontrolli kushtetues i Kuvendit.

Kompetenca për shpërndarjen e Kuvendit është një nga kompetencat më të fuqishme në sistemin kushtetues, sepse ajo ndërpret mandatin e përfaqësimit popullor, ndryshon rendin institucional dhe çon në zgjedhje të reja parlamentare. Ushtrimi i kësaj kompetence pa u përmbushur kushtet kushtetuese përkatëse përbën cenim të drejtpërdrejtë të rendit kushtetues”, ka theksuar ai.

Surroi sugjeron që deri në një vlerësim përfundimtar kushtetues, zbatimi i dekretit mund të pezullohet përkohësisht nga Gjykata Kushtetuese dhe Kuvendi duhet të vazhdojë ushtrimin e funksioneve të tij sipas Kushtetutës.

“Dekreti i shpallur më 6 mars përbën ndërhyrje në funksionimin e pushtetit legjislativ dhe në baraspeshën institucionale të përcaktuar nga Kushtetuta. Rrjedhimisht ka pritshmëri të arsyeshme që dekreti të përcaktohet si akt në kundërshtim me Kushtetutën.

Duhet të ketë poashtu pritshmëri të arsyeshme që deri në një vlerësim kushtetues përfundimtar të pezullohet zbatimi i dekretit me masë të përkohshme nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës. Kuvendi i Kosovës duhet të vazhdojë ushtrimin e funksioneve të tij kushtetuese dhe përmbushjen e obligimeve që i takojnë sipas Kushtetutës”, ka shkruar Surroi. /Telegrafi/