De Zerbi drejt Ligës Premier, top dy gjigantët anglezë e bëjnë prioritet për verë

Trajneri italian Roberto De Zerbi raportohet se është në listën e kandidatëve të Manchester United dhe Tottenham për sezonin 2026/27, sipas The Telegraph.

Ish-trajneri i Sassuolos, Brightonit dhe Marseille konsiderohet si një nga opsionet për të marrë drejtimin e njërës prej këtyre skuadrave sezonin e ardhshëm.

Sipas raportit, De Zerbi është i interesuar për postin te Manchester United dhe ndodhet në listën e ngushtë të kandidatëve të klubit për sezonin e ardhshëm.

E njëjta situatë vlen edhe për Tottenhamin, por londinezët po kalojnë një moment të vështirë, pasi aktualisht ndodhen vetëm një pikë mbi zonën e rënies nga liga.

Trajneri i ri i tyre, Igor Tudor, i ka humbur të tria ndeshjet e para në krye të skuadrës. Ish-trajneri i Juventusit rrezikon të shkarkohet, megjithatë ai pritet të qëndrojë në stol të paktën edhe për ndeshjen e javës së ardhshme në Ligën e Kampionëve kundër Atletico Madridit.

Drejtuesit e Tottenhamit dhe Manchester Unitedit e vlerësojnë stilin ofensiv të lojës së De Zerbit, ndërsa tekniku italian ka admirues edhe te Manchester City, ku ka ndërtuar një raport të mirë me Pep Guardiolën.

De Zerbi u largua nga Marseille me marrëveshje të dyanshme më 11 shkurt, pasi ishte emëruar trajner i klubit francez në verën e vitit 2024./Telegrafi/