Kosovari përballet me të paktën pesë vjet burgim në Zvicër, pas aksidentit ku vdiq 27-vjeçarja

Nacionale

Një 30-vjeçar i lindur në Kosovë, po përballet me të paktën pesë vjet burgim në Zvicër, pasi akuzohet për vrasjen eventuale me dashje të pasagjeres së tij, e cila humbi jetën në një aksident trafiku në korrik të vitit 2023, në Elgg të kantonit të Cyrihut. Sipas raportimit të gazetës zvicerane Blick, aksidenti ndodhi mbrëmjen […]

Madhësia e shkronjave

Një 30-vjeçar i lindur në Kosovë, po përballet me të paktën pesë vjet burgim në Zvicër, pasi akuzohet për vrasjen eventuale me dashje të pasagjeres së tij, e cila humbi jetën në një aksident trafiku në korrik të vitit 2023, në Elgg të kantonit të Cyrihut.

Sipas raportimit të gazetës zvicerane Blick, aksidenti ndodhi mbrëmjen e 22 korrikut 2023, kur i akuzuari ishte duke drejtuar një veturë të tipit “Seat”, nën ndikimin e alkoolit dhe me shpejtësi të papërshtatshme.

Ai kishte konsumuar disa birra dhe, në momentin kur mori pasagjeren 27-vjeçare në Winterthur, niveli i alkoolit në gjak ishte mbi 0.83 promilë.

Rreth 20 minuta më vonë, në një kthesë në afërsi të Elggut, shoferi humbi kontrollin mbi automjetin, doli në korsinë e kundërt dhe u përplas në një mbrojtëse anësore të rrugës.

Si pasojë e goditjes, vetura u ngrit rreth 20 metra në ajër dhe përfundoi e përmbysur pranë një traseje hekurudhore, transmeton Telegrafi.

Shoferi pësoi vetëm lëndime të lehta, ndërsa pasagjerja, e cila nuk kishte vendosur rripin e sigurisë, humbi jetën në vendin e ngjarjes si pasojë e lëndimeve të rënda në kokë.

Prokuroria e akuzon 30-vjeçarin për vrasje eventuale me dashje, duke argumentuar se ai kishte marrë përsipër rrezikun e shkaktimit të një aksidenti fatal, pasi kishte drejtuar automjetin në gjendje të dehur dhe me shpejtësi të lartë.

Sipas aktakuzës, në një segment ku shpejtësia e lejuar ishte 80 kilometra në orë, ai po voziste me të paktën 88 kilometra në orë, duke tejkaluar shpejtësinë e sigurt për kthesën.

Në rast të shpalljes fajtor për këtë vepër, ligji zviceran parasheh së paku pesë vjet burgim. I akuzuari rrezikon gjithashtu dëbimin nga Zvicra për një periudhë dhjetëvjeçare.

Seanca gjyqësore po zhvillohet në Gjykatën e Qarkut në Winterthur, rreth tre vjet e gjysmë pas aksidentit tragjik./Telegrafi/

Komentet