Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është takuar të martën në Bruksel me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, ku në fokus të diskutimeve ishin siguria euroatlantike, forcimi i bashkëpunimit mes vendeve aleate dhe roli i Shqipërisë në kuadër të Aleancës.
Sipas njoftimit të Agjencisë për Media dhe Informim, gjatë takimit është diskutuar për sfidat aktuale të sigurisë, me theks të veçantë te kërcënimet hibride, sulmet kibernetike, dezinformimi, ndërhyrjet e huaja dhe mbrojtja e infrastrukturës kritike.
Të dyja palët kanë vlerësuar rëndësinë e bashkërendimit më të madh mes vendeve anëtare të NATO-s për përballimin e këtyre rreziqeve.
Një tjetër temë e diskutuar ishte zhvillimi i Korridorit VIII si korridor i mobilitetit ushtarak, i cili lidh Adriatikun me Detin e Zi dhe konsiderohet i rëndësishëm për lëvizshmërinë dhe gatishmërinë operacionale të NATO-s në krahun juglindor.
Në këtë kontekst është diskutuar edhe projekti i Porto Romanos dhe potenciali i tij për zhvillimin e kapaciteteve infrastrukturore dhe logjistike në mbështetje të Aleancës.
Gjatë takimit është rikonfirmuar gjithashtu se Samiti i ardhshëm i NATO-s do të mbahet në Tiranë, në përputhje me vendimin e marrë më herët nga vendet anëtare.
Organizimi i këtij samiti do ta vendosë Shqipërinë në rolin e vendit mikpritës të forumit më të lartë politik të Aleancës, ndërsa Ballkani Perëndimor pritet të jetë pjesë e diskutimeve për sigurinë dhe stabilitetin euroatlantik.
Në fund, Shqipëria ka riafirmuar angazhimin e saj për forcimin e partneritetit transatlantik dhe përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga anëtarësimi në NATO dhe parimi i mbrojtjes kolektive.