Një grua nga Karolina e Veriut në SHBA ka fituar plot 1,939,727 dollarë në lotari, në lojën e parë online që kishte provuar ndonjëherë.
Donna Gray, banore e qytetit Mount Pleasant, tregoi se më 1 gusht vendosi të provonte për herë të parë lojërat dixhitale të lotarisë.
Ajo zgjodhi lojën “PowerMax Cash” dhe me vetëm 1 dollar arriti të fitojë çmimin e madh.
“Filloi të rrotullohej dhe nuk ndalej. Mendova se do të fitoja ndoshta 100 dollarë ose diçka të tillë”, tregoi Gray.
Ajo tha se menjëherë nxitoi t’i tregonte bashkëshortit, por ai fillimisht nuk e besoi.
“I thashë se kisha fituar shumë, por ai nuk më besoi. Na u deshën disa ditë që të dy ta kuptonim se ishte e vërtetë”, rrëfeu ajo.
Gray bëri të ditur se paratë e fituara planifikon t’i vendosë në kursime.