Koncerti i tenorit kosovar Rame Lahaj në Düsseldorf është shitur plotësisht, një ditë para mbajtjes së tij. Lajmin e ka bërë të ditur vetë artisti përmes një postimi në Facebook, ku ka falënderuar bashkatdhetarët për mbështetjen.
“Düsseldorf SOLD OUT! Bashkatdhetarë, faleminderit për besimin e dashninë!”, ka shkruar Lahaj, duke shprehur mirënjohje edhe për sponsorët dhe partnerët e turneut “PASSION & ORIGIN”.
Koncerti mbahet më 30 tetor në Robert-Schumann-Saal, ku Lahaj do të performojë së bashku me ARMA Ensemble.
Turneu “PASSION & ORIGIN” nisi më 10 tetor në Zürich të Zvicrës. Programi ndërthur këngën shqiptare me repertorin ndërkombëtar, përfshirë muzikë italiane, chanson franceze dhe këngë nga kinemaja. Përmes këtij turneu, tenori synon ta prezantojë muzikën shqiptare para publikut të diasporës dhe audiencës ndërkombëtare.
Pas Düsseldorf-it, turneu do të vazhdojë në Vjenë më 8 nëntor, në Wiener Konzerthaus, ndërsa më 13 dhjetor Lahaj do të performojë në Toronto të Kanadasë.
Me rastin e koncertit të shitur plotësisht në Düsseldorf, artisti u ka bërë thirrje publikut dhe bashkatdhetarëve që t’i sigurojnë me kohë biletat për koncertin në Vjenë. /Telegrafi/