Arsenali nuk pajtohet me përjashtimin e Dowmanit, përgatit ankesë për kartonin e kuq

Sport

Arsenali ka vendosur të apelojë kartonin e kuq të marrë nga talenti 16-vjeçar Max Dowman, gjatë eliminimit befasues nga Fleetwood Town në raundin e katërt të Kupës së Ligës angleze (Carabao Cup). Mesfushori i ri u përjashtua në minutat e fundit të takimit të së martës, pasi reagoi duke goditur kundërshtarin Harrison Neal, pas një […]

Madhësia e shkronjave

Arsenali ka vendosur të apelojë kartonin e kuq të marrë nga talenti 16-vjeçar Max Dowman, gjatë eliminimit befasues nga Fleetwood Town në raundin e katërt të Kupës së Ligës angleze (Carabao Cup).

Mesfushori i ri u përjashtua në minutat e fundit të takimit të së martës, pasi reagoi duke goditur kundërshtarin Harrison Neal, pas një ndërhyrjeje të ashpër të këtij të fundit.

Vendimi i gjyqtarit për t’i treguar kartonin e kuq direkt pritet të sjellë një pezullim prej tri ndeshjesh në garat vendore, por drejtuesit e Arsenalit besojnë se ndëshkimi është i tepruar dhe kanë vendosur ta kundërshtojnë atë.

Sipas Standard Sport, klubi londinez duhet ta dorëzojë ankesën në Federatën Angleze të Futbollit (FA) deri të enjten në orën 13:00, sipas kohës britanike.

Arsenali shpreson që vendimi përfundimtar të merret përpara përballjes së së dielës ndaj Liverpoolit në Ligën Premier, megjithëse afati i shqyrtimit do të përcaktohet nga FA.

Në rast se ankesa refuzohet, Dowman do të mungojë në tri ndeshjet e ardhshme kundër Liverpoolit, Hull Cityt dhe Newcastle Unitedit.

Megjithatë, ai do të ketë të drejtë të luajë në përballjen e Ligës së Kampionëve kundër Slavia Pragës, më 4 nëntor, pasi pezullimi nuk zbatohet në garat evropiane.

Kjo situatë vjen në një moment të vështirë për trajnerin Mikel Arteta, i cili tashmë po përballet me mungesa të rëndësishme në repartin ofensiv.

Eliminim turpërues dhe tensione te Arsenali, Arteta kritikohet për sjelljen ndaj 16-vjeçarit

Bukayo Saka vazhdon të jetë jashtë fushave për shkak të një dëmtimi muskulor në kofshë, ndërsa Noni Madueke po përballet me probleme në kyçin e këmbës.

Përjashtimi i Dowmanit ka shkaktuar gjithashtu pakënaqësi te Arteta, i cili nuk e ka fshehur frustrimin me reagimin e talentit të ri gjatë ndeshjes ndaj Fleetwoodit.

Tashmë, drejtuesit e Arsenalit presin vendimin e Federatës Angleze, me shpresën se 16-vjeçari do të shmangë pezullimin dhe do të jetë në dispozicion për sfidat e rëndësishme që e presin skuadrën londineze. /Telegrafi/

Komentet