18 ambasadorë të Kosovës kanë tejkaluar mandatin katërvjeçar – çfarë parasheh ligji?

Nacionale

Disa ambasadorë të Kosovës kanë tejkaluar periudhën standarde katërvjeçare të shërbimit në misionet diplomatike ku janë të akredituar. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se atyre u ka përfunduar ushtrimi i detyrës. Sipas legjislacionit, qëndrimi në të njëjtin mision mund të vazhdohet edhe pas katër vjetësh, në varësi të nevojave të Ministrisë së Punëve të […]

Madhësia e shkronjave

Disa ambasadorë të Kosovës kanë tejkaluar periudhën standarde katërvjeçare të shërbimit në misionet diplomatike ku janë të akredituar. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se atyre u ka përfunduar ushtrimi i detyrës. Sipas legjislacionit, qëndrimi në të njëjtin mision mund të vazhdohet edhe pas katër vjetësh, në varësi të nevojave të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD).

Të dhënat që Kallxo i ka siguruar nga MPJD-ja tregojnë se në listën e përfaqësuesve të Kosovës jashtë vendit, figurojnë 49 persona në pozita diplomatike dhe konsullore. Krahas ambasadorëve që kanë kaluar periudhën katërvjeçare të shërbimit, lista përfshinë edhe përfaqësues që kanë nisur misionet në vitet e fundit, si dhe konsuj të përgjithshëm në disa shtete.

Sipas kësaj liste, dhjetë ambasadorë kanë nisur misionet e tyre gjatë vitit 2021, ndërsa tetë të tjerë gjatë vitit 2022. Të tetëmbëdhjetit kanë kaluar periudhën standarde katërvjeçare të shërbimit gjatë kohës kur Kosova përbrenda ishte në krizë institucionale.

Edhe pse MPJD nuk e ndërlidh këtë gjë me situatën e brendshme, gjatë këtyre viteve, Kosova është përballur me një ngërç të zgjatur institucional, i cili nisi pas zgjedhjeve parlamentare të 09.02.2025 dhe vazhdoi edhe pas zgjedhjeve të 28.12.2025.

Pamundësia për konstituimin e institucioneve dhe zgjedhjen e presidentit çoi në zgjedhje të parakohshme parlamentare më 07.06.2026.

Ngërçi institucional mori fund më 06.10.2026, kur Justina Shiroka-Pula u zgjodh në pozitën e Presidentes së Kosovës.

Pas tejkalimit të ngërçit institucional, mbetet të shihet nëse do të ketë emërime dhe dekretime të reja në misionet diplomatike apo nëse përfaqësuesit aktualë do të vazhdojnë të shërbejnë në pozitat e tyre edhe për një periudhë tjetër.

Kush nisi punën në vitet 2021-2022?

Ambasadorët që kanë nisur misionet në vitin 2021 janë Skender Durmishi në Tiranë, më 12.10.2021; Faruk Ajeti në Berlin, më 25.11.2021; Dren Doli në Hagë, më 30.11.2021; Valdet Sadiku në Lubjanë, më 30.11.2021; Ilir Dugolli në Washington, më 06.12.2021; Xhabir Hamiti në Abu Dhabi, më 06.12.2021; Fuad Morina në Doha, më 21.11.2021; Ariana Zherka Hoxha në Podgoricë, më 15.12.2021; Martin Berishaj në Zagreb, më 13.12.2021; dhe Agron Bajrami në Bruksel, më 20.12.2021.

Për këta dhjetë ambasadorë, periudha katërvjeçare e shërbimit ka kaluar mes datave 12.10.2025 – kur e ka përmbushur këtë periudhë Skender Durmishi – dhe 20.12.2025 – kur këtë periudhë e ka kaluar Agron Bajrami.

Ndërkaq, tetë ambasadorë të tjerë kanë nisur misionet gjatë vitit 2022. Ilir Kapiti në Londër më 06.01.2022; Sabri Kiçmari në Tokio më 05.01.2022; Albesjana Iberhysaj Kapitaj në Pragë më 14.01.2022; Jetmira Bërdynaj në Kanberra më 11.03.2022; Florian Qehaja në Shkup më 25.05.2022; Nita Luci në Oslo më 08.06.2022; Agon Vrenezi në Ankara më 15.06.2022; dhe Blerim Reka në New York më 08.09.2022.

Për këtë grup, periudha katërvjeçare e shërbimit ka kaluar nga 06.01.2026, në rastin e Ilir Kapitit, deri më 08.09.2026, në rastin e Blerim Rekës.

Çfarë thotë MPJD-ja për periudhën katërvjeçare?

Në përgjigjen për Kallxo.com, MPJD-ja ka sqaruar se periudha katërvjeçare e shërbimit në të njëjtin mision diplomatik është standardi i përcaktuar me ligj, por se kjo periudhë mund të ndryshojë në varësi të nevojave të Ministrisë.

Sipas MPJD-së, neni 22 i Ligjit nr. 03/L-122 përcakton se përfaqësuesit diplomatikë qëndrojnë në shërbim në të njëjtin mision diplomatik për një periudhë katërvjeçare, përveç rasteve kur nevojat e Ministrisë kërkojnë ndryshe, sipas diskrecionit të ministrit.

“Lidhur me kohëzgjatjen e mandatit dhe statusin e ushtrimit të detyrës, ju njoftojmë se periudha e qëndrimit në një mision diplomatik, nuk përbën domosdoshmërisht konfirmim të përfundimit të ushtrimit të detyrës, pasi statusi i secilit ambasador përcaktohet në përputhje me vendimet përkatëse”- tha Ministria për Kallxo.com.

Ministria ka sqaruar gjithashtu se kalimi i katër vjetëve në një mision nuk nënkupton automatikisht përfundimin e funksionit të ambasadorit apo shefit të misionit.

Përfundimi i funksionit të shefit të misionit, sipas MPJD-së, bëhet përmes procedurave ligjore, përfshirë dekretin presidencial dhe njoftimin zyrtar të shtetit pranues përmes letrave të tërheqjes.

MPJD-ja nuk ka dhënë hollësi për vendimet individuale që kanë mundësuar vazhdimin e qëndrimit të përfaqësuesve në misionet përkatëse, ndërsa nuk ka specifikuar as nëse ka plane konkrete për emërime të reja.

Përfaqësuesit me qëndrime më të gjata në misione

Lista e MPJD-së përfshin edhe përfaqësues që kanë nisur shërbimin në misionet përkatëse para vitit 2021.

Sami Halili ka filluar punën si diplomat më 03.01.2017, ndërsa si i ngarkuar me punë në Dakar figuron nga 30.06.2022. Fitim Gllareva ka nisur misionin në Athinë më 02.10.2018, ndërsa në listë janë shënuar edhe vazhdimet e qëndrimit të tij, përfshirë ato të datave 31.01.2023 dhe 01.08.2026, si dhe një vazhdim gjatë vitit 2024.

Shkëndije Geci Sherifi figuron në misionin në Stokholm nga 01.04.2019, ndërsa Afrim Nura në pozitën e konsullit të përgjithshëm në Munih nga 17.01.2019.

Në listë figuron edhe Adriatik Kryeziu, në pozitën ambasador/këshilltar në Otavë, nga 20.01.2020, si dhe Ines Demiri, e ngarkuar me punë në Jerusalem, nga 01.10.2020.

Përfaqësuesit në misione gjatë viteve 2023–2026

Në listën e MPJD-së figurojnë edhe përfaqësues që kanë nisur misionet gjatë viteve të fundit.

Në vitin 2023, Haxhi Bajraktari ka nisur misionin në Sofje më 11.09.2023.

Gjatë vitit 2024, Mentor Latifi ka nisur misionin në Bernë më 15.05.2024; Delfin Pllana në Budapest më 11.06.2024; Nita Shala në Romë më 03.08.2024; dhe Edona Maloku Bërdynaj në Lisbonë më 26.08.2024.

Në vitin 2025, Lulzim Pllana ka nisur misionin në Dhaka më 07.01.2025, Lirija Berisha në Bangkok më 11.08.2025, ndërsa Xhelal Shaqiri figuron si i ngarkuar me punë i përkohshëm në Kuala Lumpur nga 25.09.2025.

Ndërkaq, gjatë vitit 2026, në listë figurojnë h****** Telaku në Bogota, nga 17.04.2026; Lulzim Hiseni në Paris, Fitor Murati në Strasburg, Ruzvelt Frrokaj në Vatikan dhe Enis Xhemaili në Panama, të gjithë nga 15.07.2026; si dhe Valëza Oruqi, shefe e misionit në Kopenhagë, nga 15.08.2026.

Konsujt e përgjithshëm dhe përfaqësuesit konsullorë

Përveç përfaqësuesve diplomatikë, lista e MPJD-së përmban edhe 12 pozita konsullore.

Në Iowa, Vera Rexhepi figuron si konsulle nga 01.10.2026. Në Shtutgart, Hamdi Bërbatovci figuron si konsull i përgjithshëm, ndërsa data 08.01.2024 në listë i referohet fillimit të shërbimit si shef misioni.

Në Frankfurt, Gzim Gashi figuron si konsull i përgjithshëm nga 14.12.2022, ndërsa në Munih, Afrim Nura nga 17.01.2019.

Në Dyseldorf, Behar Isma figuron si konsull i përgjithshëm, ndërsa data 07.07.2024 i referohet fillimit të shërbimit si shef misioni. Në Hamburg, Mizbah Mustafa figuron në të njëjtën pozitë, ndërsa data e shënuar për fillimin e shërbimit si shef misioni është 13.11.2024.

Mizbah Mustafa (Hamburg), Hamdi Bërbatovci (Shtutgart) dhe Behar Isma (Dyseldorf) kanë qenë shefa misionesh që nga viti 2024, ndërsa në vitin 2026 janë emëruar konsuj të përgjithshëm.

Në vitet paraprake 2023-2024, në listë figurojnë Vigan Berisha në Zvicër, nga 01.12.2023; Kadri Dakaj në Toronto, nga 31.01.2023; Drilon Gashi në Varshavë, nga 14.12.2023; si dhe Floreta Kabashi në Gjenevë, nga 01.10.2024.

Gjatë vitit 2026, në misionet diplomatike dhe konsullore të Kosovës kanë nisur shërbimin nëntë përfaqësues, sipas listës së MPJD-së. h****** Telaku ka nisur misionin në Bogota më 17.04.2026, ndërsa Lulzim Hiseni në Paris dhe Fitor Murati në Strasbourg më 15.07.2026.

Në të njëjtën datë kanë filluar shërbimin edhe Dren Zeka në Stamboll, Ruzvelt Frrokaj në Vatikan dhe Enis Xhemaili në Panama. Rexhep Bajraktari ka nisur punën si konsull i përgjithshëm në Milano më 17.09.2026, Valëza Oruqi si shefe e misionit në Kopenhagë më 15.08.2026, ndërsa Vera Rexhepi si konsulle në Iowa më 01.10.2026.

Qeveria e Kosovës, me Projekt-buxhetin 2027, ka paraparë 45 milionë e 595 mijë e 692 eurosh për misionet diplomatike dhe konsullore./Kallxo/

Komentet