Mislav Karoglan nuk do të jetë më trajner i Ballkanit. Klubi nga Suhareka ka njoftuar se trajneri kroat, për arsye personale, ka vendosur të mos vazhdojë në krye të skuadrës.
Karoglan u emërua në krye të Ballkanit me synimin për ta udhëhequr skuadrën drejt objektivave të klubit, ndërsa sezonin e kaluar e përfundoi në vendin e tretë në Superligën e Kosovës.

“E falënderojmë për punën dhe bashkëpunimin gjatë kësaj periudhe. Ishte kënaqësi ta kishim pjesë të familjes së Ballkanit dhe i jemi mirënjohës për kontributin e tij në klub”, thuhet në njoftimin e Ballkanit.
Klubi nga Suhareka i ka uruar Karoglanit suksese, shëndet dhe mbarësi në vazhdim të jetës dhe karrierës.
Në garat evropiane, Ballkani nën drejtimin e tij u përball me Bohemians të Irlandës, të cilën e eliminoi pas ekzekutimit të penalltive.
Sezonin e ri, Ballkani e kishte nisur me një humbje dhe një fitore, para se klubi të njoftonte përfundimin e bashkëpunimit me trajnerin kroat.
Gjatë karrierës së tij, Karoglan ka drejtuar disa klube të njohura, përfshirë Hajduk Split, Istra 1961 dhe Sheriff Tiraspol, përpara se të merrte drejtimin e Ballkanit.
Ballkani tani pritet të nisë kërkimet për trajnerin e ri, i cili do ta marrë përsipër skuadrën në vazhdim të sezonit. /Telegrafi/





