FC Ballkani ka vazhduar përforcimin e skuadrës për sezonin e ri, duke zyrtarizuar dy afrime të reja në repartin defensiv.
Klubi nga Suhareka ka prezantuar mbrojtësin e majtë nga Bregu i Fildishtë, Abou Dosso, si dhe portierin Ardit Nika, të cilët i bashkohen ekipit portokalli e zi me synimin për të rritur konkurrencën dhe cilësinë në skuadër.
Abou Dosso është 30 vjeç dhe së fundmi ishte pjesë e Zimbru Chișinău. Mbrojtësi i majtë pritet të jetë një alternativë e rëndësishme për Ballkanin në repartin defensiv, duke sjellë përvojë dhe stabilitet në krahun e majtë të mbrojtjes.
Klubi e ka mirëpritur futbollistin nga Bregu i Fildishtë, duke i uruar suksese dhe fitore me fanellën portokalli e zi.
Ndërkohë, Ballkani ka zyrtarizuar edhe transferimin e Ardit Nikës. Portieri 28-vjeçar i bashkohet skuadrës për të shtuar konkurrencën mes shtyllave dhe për t’i ofruar stafit teknik një tjetër opsion të rëndësishëm për sezonin e ri.
Nika pritet të jetë një vlerë e shtuar për ekipin në sfidat që e presin Ballkanin, ndërsa klubi i ka uruar mirëseardhje dhe shumë suksese në aventurën e tij të re.
Me afrimet e Dosso dhe Nikës, FC Ballkani po vazhdon ndërtimin e skuadrës për sezonin e ardhshëm, me synimin për të qenë konkurrues në të gjitha garat. /Telegrafi/






