Gjermania dhe Borussia Dortmundi kanë marrë një lajm të keq, pasi qendërmbrojtësi Nico Schlotterbeck pritet të mungojë deri në dy muaj për shkak të një lëndimi serioz në kyçin e këmbës.
Sipas “Sky Sport”, ekzaminimet me rezonancë magnetike kanë konfirmuar se mbrojtësi ka pësuar një këputje të ligamentit në nyjën e kyçit të këmbës.
Schlotterbeck u lëndua gjatë pjesës së parë të fitores 2-1 të Gjermanisë ndaj Bregut të Fildishtë në raundin e dytë të fazës së grupeve në Kupën e Botës 2026. Ai nuk ishte në gjendje të vazhdonte ndeshjen dhe u zëvendësua në pushimin mes dy pjesëve.
Mungesa e 26-vjeçarit përbën një goditje të madhe për Gjermaninë në vazhdim të Botërorit, pasi ai ka qenë një nga shtyllat kryesore të mbrojtjes së ekipit.
Po ashtu, lëndimi paraqet problem edhe për Borussia Dortmundin, i cili do të mbetet pa një nga lojtarët më të rëndësishëm në repartin defensiv gjatë fazës përgatitore dhe fillimit të sezonit të ri.
Stafi mjekësor do të monitorojë vazhdimisht rikuperimin e Schlotterbeckut, por për momentin vlerësohet se ai do të qëndrojë jashtë fushave për rreth tetë javë./Telegrafi/






