Futbollisti i njohur gjerman Robin Gosens, ka folur për raportimet e fundit mediatike që lidhen me kapitenin e Zvicrës, Granit Xhaka, pas fitores së helvetikëve ndaj Kanadasë.
Gazeta gjermane Bild kishte raportuar pas barazimit zhgënjyes ndaj Katarit (1-1) se atmosfera brenda zhveshtores së Zvicrës ishte bërë “toksike” për shkak të mënyrës së komunikimit të Xhakës, i cili shpesh shpreh kritika të drejtpërdrejta edhe në publik.
Gosens reagoi me habi ndaj këtyre pretendimeve, duke i dalë në mbrojtje mesfushorit shqiptar.
“Si mund ta dinë ata që atmosfera është toksike? Nuk besoj se dikush ka informacione të brendshme nga zhveshtorja”.
“Këto janë gjithmonë tituj që tërheqin vëmendjen dhe natyrisht që njerëzit hidhen menjëherë mbi ta. Por unë nuk u kushtoj shumë rëndësi gjërave të tilla”, tha 31-vjeçari.
Në vend që t’u besojë thashethemeve mediatike, Gosens tha se mbështetet te informacionet që merr nga burime të drejtpërdrejta, veçanërisht nga shoku i tij i ngushtë dhe bashkëlojtari i dikurshëm te Atalanta, Remo Freuler.
Sipas Gosens, mesazhi që ka marrë gjithmonë nga Freuler ka qenë krejtësisht ndryshe nga ai i paraqitur në media.
“Xhaka është jashtëzakonisht i rëndësishëm për një skuadër. Ai është lojtari tek i cili orientohen bashkëlojtarët dhe është gjithashtu ai që merr përgjegjësi dhe udhëheq ekipin”.
Sipas tij, kritikat publike të Xhakës kanë pasur më shumë qëllimin për të mbrojtur skuadrën sesa për ta dëmtuar atë.
Gosens pranoi gjithashtu se Xhaka nuk është person që zgjedh fjalë të buta. Ai tha se ka folur edhe me Robert Andrich, i cili e njeh mirë kapitenin zviceran nga koha e përbashkët te Bayer Leverkusen.
“Është e vërtetë që ai mund të jetë provokues, shumë i sinqertë dhe shumë i drejtpërdrejtë. Ndonjëherë kjo mund t’u pengojë disa njerëzve dhe këtë mund ta kuptoj”.
“Nuk bëhet fjalë vetëm për fjalë. Ai është lider në fushë dhe kjo shihet qartë. Ekipi orientohet sipas tij, ai e dirigjon skuadrën”.
Sipas Gosens, në momentet më të vështira të ndeshjeve, bashkëlojtarët kërkojnë automatikisht udhëzimet e Xhakës.
“Të gjithë e shikojnë atë kur duhet të dinë si të pozicionohen. Ai është zgjatimi i trajnerit në fushë dhe kjo është shumë e rëndësishme”, përfundoi ai./Telegrafi/






