Aktori i njohur nga seriali “Game of Thrones”, Nikolaj Coster-Waldau, u detyrua të kalonte natën në një stacion metroje në Kiev, mes alarmit për sulme ajrore ruse me raketa dhe dronë.
Aktori 56-vjeçar ndodhet në Ukrainë në cilësinë e Ambasadorit të Vullnetit të Mirë të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim.
Gjatë vizitës në kryeqytet, ai iu bashkua banorëve që kërkuan strehim në metro për t’u mbrojtur nga sulmet e mundshme.
Në fotografitë e publikuara nga mediat, Coster-Waldau shihet i shtrirë në një krevat të improvizuar, me një bluzë me kapuç të UNDP-së, ndërsa mban me vete çantën e shpinës dhe pajisjet personale.
Në stacion shihen edhe qytetarë të tjerë, disa prej të cilëve kishin ngritur tenda për të kaluar natën.
Aktori tregoi në rrjetet sociale se kishte qenë një natë e vështirë, por theksoi se për të bëhej fjalë vetëm për një natë, ndërsa mijëra ukrainas përballen vazhdimisht me këtë realitet.
Ai nënvizoi rëndësinë e vazhdimit të ndihmës për civilët dhe të mbështetjes ndërkombëtare për vendin.
Në një video për Reuters, Coster-Waldau shpjegoi se vizita e tij kishte për qëllim të rriste ndërgjegjësimin dhe të kujtonte se Ukraina vazhdon të ketë nevojë për ndihmë, veçanërisht me afrimin e dimrit. /Telegrafi/