Autoritetet në Serbi mund të kufizojnë së shpejti fluturimet ndërkombëtare më të lira për dhjetëra mijëra pasagjerë nga Beogradi dhe Nishi, si dhe të lënë mijëra persona pa punë, nëse nuk gjendet zgjidhje për mosmarrëveshjen me kompaninë “low-cost” (çmime të lira) Wizz Air.
Kjo kompani i konsideron masat e autoriteteve si diskriminuese dhe në kundërshtim me detyrimet ndërkombëtare dhe evropiane të Serbisë, shkruan index.hr.
Problemi nisi pas ndryshimeve në mars në Rregulloren për dhënien e lejeve për operatorët ajrorë të huaj për kryerjen e transportit ajror ndërkombëtar me Serbinë, gjë që ngriti pyetjen nëse shteti po kufizon konkurrencën në tregun vendas.

Në qendër të debatit është ndalimi i mundësisë që kompanitë e huaja të bazojnë aeroplanët dhe ekuipazhet e tyre në Serbi.
Kjo situatë e vendos Wizz Air në pozitë të pabarabartë, pasi kompania prej vitesh ka bazë në Beograd me katër aeroplanë dhe ekuipazhe, duke operuar linja drejt shumë destinacioneve evropiane. Sipas kompanisë hungareze, rregullat e reja janë diskriminuese dhe synojnë drejtpërdrejt modelin e saj “low-cost”.
Mbyllja e mundshme e bazës së Wizz Air në Beograd do të ndikonte drejtpërdrejt tek pasagjerët, duke rritur çmimet e biletave dhe ulur numrin e fluturimeve, si dhe qarkullimin në aeroportin “Nikola Tesla”, i cili menaxhohet nga kompania franceze Vinci Airports.
Wizz Air paralajmëron se ndalimi i bazimit të avionëve dhe ekuipazheve në Serbi mund ta detyrojë kompaninë të mbyllë bazën në Beograd.
Nga ana tjetër, Drejtoria për Aviacion Civil e Serbisë deklaron se asnjë kompani nuk është penguar të kryejë fluturime mes Serbisë dhe vendeve të BE-së, apo të hapë linja të reja në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare.
Sipas tyre, nuk bëhet fjalë për kufizim të trafikut ajror, por për “rregullim të kuadrit ligjor që zbatohet njësoj për të gjithë operatorët”.
Sipas Wizz Air, rregullorja e re në thelb kërkon që nëse një kompani ajrore e BE-së operon linja mes BE-së dhe Serbisë, rotacioni i fluturimeve duhet të nisë nga territori i BE-së. Kompania thekson gjithashtu se ndryshimet janë bërë pa konsultime paraprake dhe pa njoftim publik.
Sipas të dhënave, Wizz Air operon 29 linja nga Serbia drejt 10 vendeve. Që nga viti 2010, kompania ka transportuar rreth 14 milionë pasagjerë nga Serbia, ose afërsisht një milion në vit. /Telegrafi/





