Von der Leyen: Ballkanit Perëndimor duam t’i japim qasje në tregun e BE-së para anëtarësimit

Nacionale

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar se Bashkimi Evropian synon t’u ofrojë vendeve të Ballkanit Perëndimor qasje në më shumë përfitime të tregut të përbashkët evropian, edhe para anëtarësimit të tyre në BE. Këtë deklaratë ajo e bëri në konferencën e përbashkët për media me presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, […]

Madhësia e shkronjave

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar se Bashkimi Evropian synon t’u ofrojë vendeve të Ballkanit Perëndimor qasje në më shumë përfitime të tregut të përbashkët evropian, edhe para anëtarësimit të tyre në BE.

Këtë deklaratë ajo e bëri në konferencën e përbashkët për media me presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, pas përfundimit të Samitit BE-Ballkani Perëndimor, të mbajtur të mërkurën në Bruksel.

Në këtë samit, Kosovën e përfaqësoi kryeministri Albin Kurti, ndërsa Serbia nuk dërgoi asnjë përfaqësues.

Von der Leyen e cilësoi zgjerimin e Bashkimit Evropian si një imperativ strategjik për Evropën, duke vlerësuar se aktualisht ekziston një momentum real për avancimin e procesit të integrimit të vendeve të rajonit.

“Ne duam t’i japim Ballkanit Perëndimor qasje në më shumë përfitime të tregut tonë të përbashkët përpara anëtarësimit”, deklaroi ajo.

Sipas presidentes së Komisionit Evropian, BE-ja po punon për hapjen e sektorëve të caktuar të tregut për vendet e rajonit, në mënyrë që ato të përfitojnë gradualisht nga integrimi ekonomik, ndërkohë që zbatojnë reformat e nevojshme për krijimin e kushteve të barabarta të konkurrencës.

Ajo theksoi se ky proces mbështetet edhe financiarisht nga Bashkimi Evropian dhe se qytetarët e Ballkanit Perëndimor tashmë po i përjetojnë disa nga përfitimet e integrimit para anëtarësimit.

Si shembull, von der Leyen përmendi përfshirjen e katër partnerëve të rajonit në SEPA, që mundëson transfere bankare më të shpejta dhe me kosto më të ulët.

Ajo foli edhe për zgjerimin e marrëveshjes së roamingut, duke bërë të ditur se negociatat kanë nisur me Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën.

Një tjetër hap i paralajmëruar është nisja, në fillim të vitit të ardhshëm, e dialogëve për integrim gradual me secilin prej partnerëve të Ballkanit Perëndimor. Përmes këtyre dialogëve, synohet të identifikohen mundësitë e reja për përfshirjen e vendeve të rajonit në tregun e përbashkët evropian.

Von der Leyen u ndal edhe te zbatimi i Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, duke bërë të ditur se përmbushja e hapave të reformave nga vendet e rajonit është rritur nga 38 për qind sa ishte një vit më parë, në 63 për qind këtë vit.

Ajo paralajmëroi se përmes përmbushjes së reformave mund të zhbllokohen edhe 338 milionë euro të tjera për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut në javët e ardhshme.

Krahas integrimit evropian, presidentja e Komisionit Evropian theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet vetë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Ballkani Perëndimor duhet gjithashtu të afrohet më shumë me njëri-tjetrin”, tha ajo, duke përmendur rritjen e tregtisë rajonale, njohjen e kualifikimeve, roamingun dhe krijimin e korridoreve të gjelbra për lehtësimin e qarkullimit të mallrave.

Costa: Zgjerimi është mundësi reale, vendet duhet t’i zbatojnë reformat

Ndërkaq, presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka deklaruar se samiti i së mërkurës ka riafirmuar perspektivën e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Ai ka vlerësuar se intensiteti i takimeve ndërmjet liderëve evropianë dhe përfaqësuesve të rajonit dëshmon për angazhimin politik të BE-së ndaj procesit të zgjerimit.

“Mesazhi im për të gjithë partnerët ishte i qartë: ruani ritmin dhe zbatoni reformat që do t’ju çojnë drejt Bashkimit Evropian. Zgjerimi është një mundësi reale dhe duhet shfrytëzuar”, deklaroi Costa.

Ai tha se gjatë samitit është bërë një bilanc i të arriturave që nga takimi i mëparshëm në Tivat, si dhe është diskutuar për hapat e mëtejshëm drejt integrimit gradual të vendeve të rajonit.

Costa përmendi përparimin e Malit të Zi dhe Shqipërisë si dëshmi se anëtarësimi në Bashkimin Evropian nuk është një objektiv i paarritshëm për vendet që angazhohen seriozisht në zbatimin e reformave.

“Këtë vit, ne filluam hartimin e traktatit të pranimit të Malit të Zi, një hap që nuk e kishim ndërmarrë prej më shumë se 10 vjetësh. Shqipëria gjithashtu ka filluar t’i mbyllë kapitujt e negociatave”, tha ai.

Sipas tij, edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor kanë mundësi të avancojnë në rrugën drejt anëtarësimit, por kjo kërkon angazhim të vazhdueshëm në zbatimin e reformave.

Megjithatë, Costa theksoi se procesi i integrimit nuk varet vetëm nga reformat e brendshme, por edhe nga bashkëpunimi rajonal, pajtimi dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore.

“Bashkëpunimi rajonal, pajtimi dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore janë parakushte kyçe për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Pres me padurim përparim të mëtejshëm në zgjidhjen e çështjeve dypalëshe”, deklaroi ai.

Presidenti i Këshillit Evropian u bëri thirrje vendeve të rajonit që të tejkalojnë mosmarrëveshjet e së kaluarës dhe të përqendrohen në të ardhmen.

“Sfidat e rrënjosura në të kaluarën duhet të kapërcehen dhe duhet të shohim përpara e jo prapa”, tha Costa.

Në përfundim, ai ritheksoi mbështetjen e Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, duke e cilësuar BE-në si partnerin më të qëndrueshëm të vendeve të rajonit./Telegrafi.