Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përcjellë një mesazh të fuqishëm nga Oxford Union, duke theksuar rëndësinë e mbrojtjes së së vërtetës historike të Kosovës dhe kujtimit të sakrificës së popullit shqiptar.
Historia e Kosovës dhe sakrifica e popullit të saj ishin në qendër të mesazhit të ish-presidentes Vjosa Osmani në Oxford Union, një prej platformave më të njohura të debatit në botë.
Përmes një postimi, Osmani ka theksuar se e vërteta historike e Kosovës nuk mund të fshihet nga propaganda apo heshtja.
“Në Oxford Union, historia e Kosovës u dëshmua aty ku dëgjohen zërat e botës. Sepse asnjë propagandë nuk mund ta zhbëjë të vërtetën dhe asnjë heshtje nuk mund ta fshijë sakrificën tonë”, ka thënë Osmani.
Pjesëmarrjen në këtë platformë, ish-presidentja e ka cilësuar si një mundësi për ta përfaqësuar Kosovën dhe për të prezantuar historinë e saj para një audience ndërkombëtare, shkruan Telegrafi.
Oxford Union, me mbi dy shekuj traditë të debatit të lirë, ka mirëpritur ndër vite personalitete të njohura nga politika, shkenca dhe jeta publike ndërkombëtare.
Prania e Osmanit në këtë platformë vë në pah rëndësinë e prezantimit të historisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare, veçanërisht të kujtesës për luftën, sakrificën dhe rrugëtimin e vendit drejt lirisë./Telegrafi/