Kanë mbetur edhe pak javë deri në nisjen e Sunny Hill Festival 2026, një prej ngjarjeve më të mëdha muzikore në rajon, që këtë vit do të mbahet më 31 korrik, 1 dhe 2 gusht në Bernicë, Prishtinë.
Edhe këtë edicion, festivali sjell emra të njohur të skenës ndërkombëtare dhe asaj vendore.

Kryefjala e këtij viti është superylli botëror Katy Perry, e cila do të performojë për herë të parë në Kosovë.
Krahas saj, janë konfirmuar edhe artistë të tjerë të njohur, ndërsa publiku pret që deri në nisjen e festivalit të zbulohen edhe surpriza të tjera.
Sunny Hill është shndërruar tashmë në një destinacion të rëndësishëm veror, duke mbledhur çdo vit dhjetëra mijëra vizitorë nga Kosova, rajoni dhe vende të ndryshme të botës.
Festivali njihet për atmosferën unike, aktivitetet shoqëruese dhe ndikimin e madh në promovimin e Prishtinës si destinacion kulturor dhe turistik.
Me mijëra adhurues të muzikës pritet të mbushin sërish hapësirën në Bernicë për tri net me radhë, teksa do të ketë një produksion edhe më të madh, skena spektakolare dhe një eksperiencë që do ta bëjë edicionin e sivjetmë ndër më të veçantët deri më tani.
Numërimi mbrapsht tashmë ka nisur dhe gjithçka tregon se Sunny Hill Festival do të jetë sërish një nga ngjarjet më të rëndësishme të verës në Kosovë. /Telegrafi/





