Pas humbjes minimale ndaj Turqisë në Prishtinë, e cila i dha fund ëndrrës për kualifikim në Kupën e Botës, sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, ka reaguar me emocione të përziera, zhgënjim për rezultatin, por edhe krenari për rrugëtimin e ekipit.
Ai theksoi se rruga deri në këtë pikë ka qenë jashtëzakonisht e vështirë, duke kujtuar se Kosova e kishte nisur kampanjën me një humbje të thellë dhe në një moment dukej se gjithçka kishte përfunduar.
Megjithatë, sipas tij, skuadra reagoi fuqishëm dhe vazhdoi të luftojë deri në fund.

Muriqi u shpreh shumë krenar për bashkëlojtarët dhe rolin e tij si një nga kapitenët e ekipit, duke theksuar se kishte ëndërr ta udhëhiqte Kosovën drejt Botërorit në Amerikë.
“Shumë vështirë. Kemi luftuar prej ditës së parë e deri këtu. E nisëm kampanjën me humbje të thellë dhe menduam se nuk ka kthim. Por vazhduam mirë. Unë jam shumë krenar me bashkëlojtarët e mi. Jam shumë krenar që jam ndër kapitenët”.
“Do të kisha dëshirë ta udhëheq ekipin në Amerikë, por fati nuk e deshi. Unë nuk e di a do të jem, por Kosova do të kualifikohet në një kampionat të madh”.
“Kemi pasur shumë raste. Më dhimbset gjithë ekipi, gjithë shteti. Gjithë kjo përkrahje..”, ka deklaruar Muriqi./Telegrafi/






