Ushtrimi i pazakontë që qetëson dhimbjen në shpinë dhe nyje

Ecja prapa në ujë mund të forcojë muskujt, të rrisë ritmin e zemrës dhe të ulë ngarkesën mbi nyje, prandaj rekomandohet edhe për personat me artrit

Ecja prapa në ujë rekomandohet si mënyrë për të rritur ritmin e zemrës pa ngarkuar nyjet dhe për të qetësuar dhimbjen kronike në pjesën e poshtme të shpinës. Edhe pse në shikim të parë duket e çuditshme, ecja prapa, pra ecja retrograde, aktivizon më shumë muskuj, mundëson punë të mirë të zemrës dhe shpenzon më shumë energji, thonë mbështetësit e këtij ushtrimi.

Cilat janë përparësitë e ecjes prapa në ujë

Disa studime theksojnë se ecja prapa në ujë mund të jetë metodë efektive terapeutike për pacientët me dhimbje kronike në shpinë dhe se ndihmon më shumë se ecja e zakonshme. Përveç kësaj, kjo veprimtari forcon ekuilibrin dhe ndjenjën e qëndrueshmërisë.

Fondacioni për Artritin shpjegon se ky është një ushtrim i shkëlqyer për personat që vuajnë nga dhimbjet dhe ngurtësia në nyje, veçanërisht në pishinë kur uji arrin deri në bel.

Filloni duke u ngritur në majë të gishtave të këmbëve, shtypni pjesën e përparme të shputës dhe më pas kaloni peshën në thembra, ndërkohë që me këmbën dhe duart e kundërta shtyni ujin pas vetes, thuhet në rekomandime, transmeton Telegrafi.

Për dhimbjet në duar ose në pjesën e sipërme të shpinës

Meqë ky është një ushtrim disi më kërkues, fillestarëve në ecjen në ujë u rekomandohet që fillimisht të provojnë ecjen e zakonshme përpara. Uji duhet të jetë përafërsisht deri në bel, por sa më shumë që trupi të jetë i zhytur në ujë, aq më e vogël është ngarkesa mbi nyje.

Ekspertët theksojnë se për pacientët me dhimbje në shpatulla, në duar ose në pjesën e sipërme të shpinës, ushtrimi në ujë më të thellë është një mundësi më e mirë.

Për një efekt të këndshëm dhe relaksues në nyje rekomandohet që temperatura e ujit të jetë ndërmjet 28 dhe 32 gradë Celsius.

Forcon këmbët dhe ngarkon më pak nyjet

Dr. Susan Weil vlerëson se ecja prapa, edhe pa pishinë, është ushtrim i dobishëm për ekuilibrin, lëvizshmërinë dhe për disa probleme me nyjet.

Megjithatë, ajo konsideron se personat me shqetësime të ndryshme në nyje mund të kenë edhe më shumë përfitim nga ecja në ujë deri në lartësinë e belit ose të gjoksit.

Për efekte edhe më të mira në të gjithë trupin, Fondacioni për Artritin rekomandon ecjen prapa në ujë, e cila aktivizon më shumë muskuj, veçanërisht rreth shtyllës kurrizore, në pjesën e përparme të kofshëve dhe në pulpë, ndërkohë që rrit edhe numrin e rrahjeve të zemrës. Shtohet gjithashtu se ecja retrograde mund të forcojë këmbët duke ngarkuar më pak nyjet. /Telegrafi/