Një 20-vjeçar me origjinë shqiptare ka humbur jetën në një aksident tragjik në autostradën A1 në Itali, pasi është goditur nga një veturë tip SUV, teksa kishte dalë nga automjeti për të vendosur trekëndëshin e emergjencës.
Viktima është Th.Q., nga Caorso, në provincën e Piacenzës, i cili kishte lindur në Piacenza në një familje me origjinë shqiptare.
Sipas raportimit të mediumit italian Il GiornoIl Giorno, aksidenti ka ndodhur gjatë natës mes 29 dhe 30 tetorit, në afërsi të Melegnanos, në drejtim të Milanos.
I riu po udhëtonte së bashku me katër shokë me një automjet Volvo me targa zvicerane. Pasi kaluan pikën e pagesës së autostradës Milano Sud, vetura filloi të devijonte nga rruga dhe u përplas me ndarësen qendrore të korsive.
Pas përplasjes, Qirjaj doli nga automjeti për të vendosur trekëndëshin sinjalizues dhe për të paralajmëruar drejtuesit e tjerë për rrezikun në rrugë, transmeton Telegrafi.
Në atë moment, ai u godit nga një SUV, i drejtuar nga një 25-vjeçar nga Modena, i cili, sipas raportimit, nuk e kishte vërejtur të riun në kohë.
Si pasojë e goditjes, 20-vjeçari pësoi lëndime shumë të rënda dhe u transportua me urgjencë në spitalin Predabissi, në Vizzolo. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai nuk arriti t’u mbijetonte plagëve.
Katër shokët që udhëtonin me të nuk pësuan pasoja serioze, ndërsa as drejtuesi i SUV-it nuk u raportua i lënduar.
Rasti po hetohet nga Policia Rrugore e Guardamiglios, në koordinim me Prokurorinë e Lodit, për të përcaktuar rrethanat e plota të aksidentit. Sipas procedurave, ndaj drejtuesit të automjetit tjetër pritet të kryhen edhe testet toksikologjike.
Vdekja e të riut ka tronditur komunitetin e Caorsos. Kryetarja e komunës, Roberta Battaglia, ka shprehur ngushëllimet për familjen, duke e përshkruar Thomasin si një djalë që ishte rritur dhe integruar në komunitetin lokal.
Ai do të mbushte 21 vjeç në muajin dhjetor. Deri para dy vitesh kishte qenë pjesë edhe e ekipit të futbollit Amatori Caorso. Në shenjë zie për vdekjen e tij, klubi kishte vendosur të anulonte ndeshjen e planifikuar./Telegrafi/