Përgatitjet finale po zhvillohen në Cyrih të Zvicrës për edicionin jubilar të Shqip Up Comedy Festival, i cili mbahet sonte në Stadthalle Dietikon.
Ngjarja pritet të mbledhë në një skenë disa nga emrat më të njohur të humorit dhe stand-up komedisë shqiptare, duke sjellë një mbrëmje të veçantë për publikun shqiptar në Zvicër.
Pjesë e këtij edicioni do të jenë Lulzim Bucolli, Drilona, T-Ronimo, Ernest Zymberi, Luan Comedy dhe Stefan Büsser, ndërsa mbrëmja do të moderohet nga Arbela dhe Ylberi.
Për atmosferën muzikore do të kujdesen grupi legjendar Elita 5 dhe DJ, duke e bërë këtë edicion një kombinim të humorit, muzikës dhe argëtimit.
Interesimi për këtë ngjarje ka qenë i madh, ndërsa organizatorët kanë përgatitur një program të veçantë për edicionin jubilar të festivalit, i cili tashmë është shndërruar në një pikëtakim të rëndësishëm për artin dhe humorin shqiptar në diasporë.
Telegrafi, si partner medial i kësaj ngjarjeje, ndodhet në Cyrih për të përcjellë nga afër festivalin dhe për t’i mbajtur lexuesit të informuar hap pas hapi për përgatitjet, atmosferën dhe të gjitha të rejat nga kjo mbrëmje festive. /Telegrafi/