Presidenti amerikan, Donald Trump, mund të përpiqet ta shtyjë Ukrainën të bëjë lëshime ndaj Rusisë para dhjetorit, në kuadër të përpjekjeve për arritjen e një marrëveshjeje politike për përfundimin e luftës.
Sipas The Washington Post, Moska po përpiqet të shfrytëzojë administratën amerikane për të siguruar lëshime nga Kievi lidhur me Donbasin, rajonin në lindje të Ukrainës që është një nga pikat kryesore të mosmarrëveshjeve mes dy vendeve.
Kremlini mund të kërkojë më vonë edhe kufizime në kapacitetet ushtarake të Ukrainës, duke synuar të ndikojë në kushtet e një marrëveshjeje të mundshme.
Andrew Weiss, ekspert në Carnegie Endowment, vlerëson se veprimet e Trumpit lidhen me përpjekjet për të arritur një zgjidhje politike, e cila mund ta vendosë Kievin përballë presionit për të bërë lëshime.
Ndërkohë, në dhjetor, në Miami të Shteteve të Bashkuara është planifikuar të mbahet samiti i G20-s, ku Trumpi ka ftuar edhe presidentin rus, Vladimir Putin.
Kremlini i sheh këto zhvillime si shenjë të afrimit të marrëdhënieve mes Moskës dhe Washingtonit, në një kohë kur mbetet e paqartë nëse përpjekjet diplomatike do të çojnë në një marrëveshje për përfundimin e luftës në Ukrainë. /Telegrafi/






