Plot 189 transferime u realizuan në Ligën Premier para dhe gjatë edicionit 2025/26, por sipas mediumit të njohur sportiv “The Athletic”, lëvizja më e goditur e sezonit ishte kalimi i Granit Xhakës te Sunderlandi.
Ky vlerësim është pasqyruar edhe nga televizioni zviceran SRF, i cili e cilësoi si një nder të madh për mesfushorin 33-vjeçar, me transferimin e tij që u rendit i pari pas një votimi, duke lënë pas emra të rëndësishëm si Rayan Cherki (Manchester City) dhe Michael Kayode (Brentford).
Arsyeja kryesore pse Xhaka u veçua si “transferimi i sezonit”, sipas “The Athletic”, nuk lidhet vetëm me shifrat apo emrin, por me ndikimin e drejtpërdrejtë te skuadra.
“Edhe lojtarë gjenialë si Cherki nuk e kanë transformuar ekipin në mënyrën që e ka bërë Xhaka. Ai solli një kulturë të re në klub, brenda dhomës së zhveshjes dhe në gjithë qytetin”, shkruan mediumi britanik.
“The Athletic” ka vlerësuar veçanërisht përvojën, cilësitë e lidershipit dhe gatishmërinë e tij për të qenë i rëndësishëm si në fazën mbrojtëse ashtu edhe në atë sulmuese.
Xhaka u transferua verën e kaluar nga Bayer Leverkusen dhe menjëherë mori shiritin e kapitenit, duke u bërë figura kryesore e projektit të trajnerit Régis Le Bris.
Me Xhakën në krye, Sunderlandi – i sapongjitur në elitë – e mbylli sezonin në vendin e shtatë, duke siguruar kualifikimin në Ligën e Evropës.
Për klubin anglez, ky është një rikthim historik në arenën evropiane, pasi hera e fundit kur kishte luajtur në Evropë ishte në edicionin 1973/74, në Kupën e Fituesve të Kupave, ku u eliminua në raundin e dytë nga Sporting Lisbona.
Pas këtij sezoni të madh në Angli, Xhaka gradualisht e kthen fokusin te Botërori 2026, ku pritet të jetë sërish kapiten dhe lider i padiskutueshëm i Zvicrës. Turneu që mbahet në SHBA, Kanada dhe Meksikë do të jetë Botërori i katërt për strategun e mesfushës. /Telegrafi/






