Tetë gra të vrara në Kosovë gjatë vitit 2026

Nacionale

Kosova vazhdon të përballet me raste të rënda të vrasjeve të grave, të cilat kanë ngritur alarmin për mbrojtjen e viktimave. Pavarësisht deklarimeve të vazhdueshme të krerëve institucionalë për luftimin e dhunës në familje, disa prej këtyre rasteve kanë nxitur reagime të shumta, veçanërisht për shkak të dyshimeve për mungesë të veprimeve institucionale dhe dështim […]

Madhësia e shkronjave

Kosova vazhdon të përballet me raste të rënda të vrasjeve të grave, të cilat kanë ngritur alarmin për mbrojtjen e viktimave.

Pavarësisht deklarimeve të vazhdueshme të krerëve institucionalë për luftimin e dhunës në familje, disa prej këtyre rasteve kanë nxitur reagime të shumta, veçanërisht për shkak të dyshimeve për mungesë të veprimeve institucionale dhe dështim në ofrimin e mbrojtjes së nevojshme.

Me vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, më 25 tetor, numri i grave të vrara nga familjarët gjatë këtij viti në Kosovë ka arritur në tetë.

Viktimat kishin histori të ndryshme, por rastet e tyre dëshmojnë përmasat e dhunës brenda familjes. Në mesin e tyre ishte një nënë rreth 60-vjeçare, një 25-vjeçare shtatzënë dhe një grua që vetëm tri ditë para se të vritej kishte kërkuar mbrojtje nga institucionet.

Janar – Dragash

Viti nisi me një rast të rëndë në fshatin Restelicë të Dragashit, ku një grua rreth 60-vjeçare u gjet e vdekur.

Sipas informatave fillestare të Policisë, dyshohej se ajo ishte privuar nga jeta nga djali i saj, rreth 30-vjeçar.

Mars – Podujevë

Një tjetër ngjarje e rëndë ndodhi në fshatin Majac të Podujevës, ku humbën jetën dy gra dhe një burrë.

Sipas Policisë, Ardita Gashi dyshohej se kishte qëlluar me armë zjarri Ilaz Brahimin, 45-vjeçar, i cili vdiq në vendin e ngjarjes. Më pas, ajo dyshohej se kishte marrë peng dhe plagosur Miradije Gashin.

Miradije Gashi vdiq në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, si pasojë e plagëve të marra. Edhe e dyshuara ndërroi jetë në spital, pasi ishte vetëplagosur.

Gusht – Malishevë

Jetlira Foniqi Bytyqi, 25-vjeçare dhe shtatzënë, humbi jetën si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit në fshatin Kërvasari të Malishevës.

Jetlira Foniqi Bytyqi

Ajo dyshohej se ishte qëlluar nga bashkëshorti i saj, Egzon Foniqi, 26-vjeçar, i cili po ashtu kishte pësuar plagë nga arma e zjarrit.

Jetlira nuk arriti t’u mbijetonte plagëve, ndërsa bashkëshorti i saj ndërroi jetë më vonë, pas trajtimit mjekësor.

Gusht – Prizren

Një tjetër rast i rëndë u regjistrua në Prizren, ku një grua 80-vjeçare, me inicialet L.D., dyshohej se ishte vrarë nga bashkëshorti i saj, 81-vjeçar.

I dyshuari ishte arrestuar, ndërsa viktima kishte pësuar lëndime vdekjeprurëse.

Shtator – Klinë

Në Poterq të Epërm të Klinës, Zoje Zeneli, 81-vjeçare, dyshohet se ishte sulmuar në rrethana të rënda familjare nga djali i saj.

Ajo ishte dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, për shkak të lëndimeve të rënda.

Tetor – Gjilan

Të shtënat me armë zjarri në Livoç të Gjilanit u morën jetën Nafije Bogujevcit dhe vëllait të saj, Egzon Bogujevcit.

Për rastin dyshohej bashkëshorti i Nafijes, i cili më pas ishte dorëzuar në Polici.

Tetor – Pejë

Rasti më i fundit është vrasja e Arlinda Zekajt, e cila u vra mbrëmjen e 25 tetorit në Vitomiricë të Pejës.

Për vrasjen e saj dyshohet kunati, i cili, sipas informatave të Policisë, ndodhet në arrati.

Komentet