Të miturit në Zvicër mund të blejnë cigare elektronike online, ngrihet alarmi për kontrollet e moshës

Bota

Mbrojtja e konsumatorëve në Zvicër ka paralajmëruar se disa dyqane online po u mundësojnë të miturve blerjen e cigareve elektronike me nikotinë, pavarësisht ndalimit ligjor. Testblerjet e realizuara në 22 dyqane online kanë zbuluar mangësi serioze në kontrollet e moshës, duke ngritur shqetësime për mbrojtjen e të rinjve nga produktet që krijojnë varësi. Sipas organizatës […]

Madhësia e shkronjave

Mbrojtja e konsumatorëve në Zvicër ka paralajmëruar se disa dyqane online po u mundësojnë të miturve blerjen e cigareve elektronike me nikotinë, pavarësisht ndalimit ligjor.

Testblerjet e realizuara në 22 dyqane online kanë zbuluar mangësi serioze në kontrollet e moshës, duke ngritur shqetësime për mbrojtjen e të rinjve nga produktet që krijojnë varësi.

Sipas organizatës për mbrojtjen e konsumatorëve, të miturit kanë arritur të porosisin produkte nikotine duke përdorur të dhëna të pasakta të datëlindjes.

Në disa raste, mjaftonte vetëm klikimi në një dritare që pyeste nëse blerësi ishte mbi 18 vjeç, ndërsa te Coop kontrolli mund të anashkalohej duke zgjedhur lënien e pakos te dera, në vend të dorëzimit personal, shkruan Watson, transmeton Telegrafi.

Në mesin e 11 dyqaneve online ku janë konstatuar mangësi në verifikimin e moshës përfshihen Brack, Coop dhe disa platforma të specializuara në shitjen e cigareve elektronike.

Në 11 dyqanet e tjera porositë nuk mund të përfundoheshin, pasi kërkohej kopja e dokumentit të identifikimit.

Sara Stalder nga organizata për mbrojtjen e konsumatorëve ka kritikuar kompanitë, duke i akuzuar se po vendosin fitimin përpara mbrojtjes së të rinjve.

Organizata u ka kërkuar autoriteteve kantonale dhe operatorëve të dyqaneve online që të vendosin menjëherë kontrolle të sigurta dhe të detyrueshme të moshës, përndryshe produktet duhet të hiqen nga shitja online.

Kritikave u është përgjigjur edhe kompania Brack, e cila ka kundërshtuar pretendimet se nuk kryen kontrolle të moshës.

Sipas saj, verifikimi bëhet përmes krahasimit të emrit dhe adresës së porositësit me të dhënat e një kompanie të jashtme.

Megjithatë, kompania ka pranuar se ky sistem ka kufizime dhe ka njoftuar se do të vendosë një kontroll të ri përmes dokumentit të identifikimit, me zbatim të planifikuar gjatë tremujorit të parë të vitit 2027.

Në Zvicër, shitja e produkteve të duhanit dhe cigareve elektronike për personat nën 18 vjeç është e ndaluar që nga 1 tetori 2024.

Ndalimi vlen edhe për shitjet online, ndërsa një deklarim i thjeshtë me klikimin e opsionit “Jam mbi 18 vjeç” nuk konsiderohet verifikim i mjaftueshëm i moshës./Telegrafi/

Komentet