Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu ndodhet në një vizitë zyrtare në Maqedoni të Veriut, ndërsa është takuar edhe me presidente maqedonase Gordana Siljanovska-Davkova.
Haxhiu në një postim në Facebook shkruan se kanë diskutuar për sigurinë në rajon dhe për rrugën euroatlantike të dy vendeve.
Lexoni të plotë postimin e saj:
Kënaqësi ta takoja Presidenten e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, me të cilën zhvilluam një bisedë të frytshme për bashkëpunimin ndërmjet dy republikave tona.
Biseduam për marrëdhëniet e mira fqinjësore, që mbështeten në respektin e ndërsjellë. Lidhjet e gjalla dhe të çmueshme ndërmjet qytetarëve tanë janë pasuria më e madhe e këtyre marrëdhënieve.
Diskutuam gjithashtu për sigurinë në rajon dhe për rrugën euroatlantike të dy vendeve. Kosova e përkrah përparimin e Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian dhe e vlerëson mbështetjen e saj për integrimin e Kosovës në strukturat evropiane dhe euroatlantike. /Telegrafi/