Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Driton Sulejmani, ka njoftuar se është zgjidhur çështja e paraleles në gjuhën shqipe në SHF “Penko”, në Komunën e Butelit.
Sipas Sulejmanit, zgjidhja është arritur përmes koordinimit dhe bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe Komunës së Butelit, duke u bazuar në dispozitat e Ligjit për Arsimin Fillor.

Ai theksoi se marrëveshja e arritur garanton respektimin e së drejtës së nxënësve për arsimim dhe krijon kushtet e nevojshme për zhvillimin e mësimit në gjuhën shqipe.
“Ky rast dëshmon se përmes dialogut, koordinimit dhe bashkëpunimit institucional mund të gjenden zgjidhje konkrete, në interes të drejtpërdrejtë të fëmijëve dhe të drejtës së tyre për arsimim”, deklaroi Sulejmani.
Zëvendësministri theksoi se institucionet duhet të vazhdojnë të punojnë në frymën e bashkëpunimit për të garantuar kushte të barabarta dhe cilësore për të gjithë nxënësit.





