Si të shpëtojmë nga udhëheqësit?

Ju mund të prisnit që fjalën shpëtojmë ta vinim në thonjëza, por jo. Po ashtu mund të prisnit që të përmendnim emra udhëheqësish të sotëm “historikë”, por jo. Besojmë se është e kuptueshme pse nuk kanë rëndësi emrat në këtë qasje. Jo vetëm se nuk janë një e dy, as tri e katër, porse thelbësore është dukuria. Ata, herët a vonë, një ditë ikin, por zakoni e tyre mbetet i pandryshuar. Në mbi njëqind vjet shtet, kemi pasur në krye udhëheqës të llojllojshëm, po që shumica e tyre kanë pasur një të përbashkët tipike, diktatin mbi të tjerët, pavarësisht formës së regjimit. Thënë ndryshe, ajo që njihet në histori si “shteti jam unë!”

Në fund dhe mund të përmendim ndonjë emër, por në sensin e kundërt, nga ata prej të cilëve shqiptarët nuk ka qenë e nevojshme të “shpëtonin”, përkundrazi, por të mos e ndërpresim rrjedhën e shkrimit. Çështja është si të shpëtojmë nga VIP-at tanë të dashurive të zjarrta elektorale, ata për të cilët brohoritëm aq fort, sa na u ngjir zëri e na u rrëmbushën sytë, bëmë aq shumë selfi kacarruar me ta, kërcyem e kënduam katundçe mes pluhurit e baltës, se po mundnim kundërshtarin politik, domethënë “armikun” vëlla dhe po i siguronim vetes pushtet të pakufizuar. As që e vinim në diskutim se po bënim zgjedhjen më të mirë, me fitoren plebishitare tashmë BE-në e kishim në derë. Apo ne i kishim mbetur në derë?

Mirëpo, me gjasë, udhëheqësit tanë kanë qimen e dragoit në gjoks, ata befas tjetërsohen e egërsohen sapo marrin pushtetin, partinë e lënë në stol dhe kabinetin qeveritar, agjencitë e zhvillimit që kanë para i qeverisin me miq e me shokë të “fisit” politik. Kësaj i thonë pushteti nuk buron nga vota, por nga lideri fuqiplotë; pushtetarët që vijnë nga anonimati nuk kanë parti, por vetëm një “perëndi” që i falen, ndaj dhe s’e kanë për gjë ta grabisin Shqipërinë mbi tokë e nëntokë, t’i çojnë lekët e shqiptarëve në xhepat e vet dhe të djallit. Njësoj si në një çiflig mesjetar, kur “çifligarët” e ministrive veprojnë me pasuritë publike sikur t’i kishin të trashëguara nga gjyshërit e tyre. Gjatë qeverisjes sonë do të bënim vepra publike si asnjëherë më parë, të gjitha në standarde … për t’u shembur pa u prerë mirë shiriti! Reforma si kurrë më parë, sidomos ajo në drejtësi, pa kurrë një gur në rrota! Dhe rezultati, vërtetë impresionues, një qeveri me gjysmën e ministrave në zyrë e gjysmën tjetër në qeli, e megjithatë, karvani shkon përpara pa u ndalur.

Opozita, kuptohet, nuk ka asgjë të përbashkët me pushtetin e korruptuar të më shumë se një dekade, po kur vjen puna te funksionimi si e tillë, dhe ajo rreshtohet me besnikë në foltoret e saj, me molotov e ecejake kuturu nëpër Tiranë, pa asgjë të re, edhe pse ka një elitë të afirmuar që nuk lihet të dalë në krye, ku spikasin tre-katër emra liderësh të mundshëm që lakohen nën zë nga të gjithë e që do ta çonin opozitën në fitore, ndër ta dhe ndonjë politikane e re. Edhe atje problemi është pushteti i njëshit historik, gjë që ka bërë që ai të jetë në krye dhe partia të jetë në fund.

Demokracia ka shkuar aq shumë përpara, sa në vend të partive të vogla dikur, sot kemi individë të vetmuar – “parti”, që protestojnë me një karrige në trotuar, apo individë po të vetmuar që rendin andej-këndej nëpër qytete të sajojnë takime të vogla politike të njohurish. Ngado që ta marrësh, një udhëheqësi politike që veç thërrmohet, veç bunkerizohet, iu shërben interesave të ngushta të udhëheqësve “supremë”, si nga e majta, si nga e djathta. O, po, ç’thoni kështu, ku ka krahasim mes pozitës dhe opozitës, opozitës dhe pozitës, janë si nata me ditën!? Doemos, militantët politikë këtë punë kanë, ne e kemi fjalën për shqiptarët e papolitizuar, edhe ata të partive, që duan politikë europiane, pluralizëm real dhe rotacion politik. Pa sofizma, pa tjerrje fjalësh të kota për demokracinë.

Veçse duhet ta themi shqip, që nuk shpëtojmë nga udhëheqësit autokratë jemi (dhe) ne fajtorë, iu bëjmë fresk, kur duhet t’i braktisim, t’ua lëmë sallat e konferencave e mitingjeve zbrazët! T’ua kursejmë lëvdatat, heroizmat, puthadorjen. Mos u trembni se na mbetën sheshet bosh! Kur ato nuk dominohen nga partiakët shterpë, i mbush publiku, qytetarët, që nuk bëjnë kompromis me liderët e zvetënuar e të korruptuar, siç kemi parë të mbushen në rastin e “armëve kimike” etj.

Nga ana tjetër, ndër ne shqiptarët, sheh rrushi rrushin dhe s’piqet. E njëjta gjendje, për më tepër bllokuese, dhe në anën tjetër të Morinit. Një kryeqeveritar që vë veton dhe e çon vendin në zgjedhje të parakohshme, vetëm që të bëhet e tija, të zgjidhet një emër dhe vetëm ajo në krye të Kuvendit?! Po ashtu një kryetare shteti, që e çon vendin në zgjedhje të reja, vetëm se ajo nuk rizgjidhet vetë sërish në postin e lartë që mban?! Të gjithë betohen se po zbatojnë kushtetutën, bile me minuta e sekonda, por siç dihet ai që e paguan në kurriz këtë kolaps institucional në Kosovë është populli, që nga fatura financiare e zgjedhjeve të stërpërsëritura, që nuk arrijnë të “prodhojnë” pushtet, institucione të qëndrueshme, duke mos marrë shërbime e duke mos u përfunduar rrugët, gjithandej mbetur përgjysmë etj..

Dhe, të gjithë shtetarët, si këndej, si andej vënë dorën në Kushtetutë! Kurse ti nuk di se ku ta vësh dorën … për të veçuar ndonjërin prej tyre si thellësisht të përgjegjshëm për postin që i është besuar! Njëlloj si kur janë pak më shumë se 80 vjeç, si kur janë pak më pak se 40 vjeç! Si kur janë meshkuj, si kur janë femra. E njëjta mendësi, e njëjta sjellje kokëfortë, inatçore, meskine. Pas meje u bëftë kiameti! Të tundin parasysh fotografinë në Shtëpinë e Bardhë, a thua se ajo është kartë që të mban në pushtet pa fund, kur amerikanët u kanë vënë caqe kohore të vetëve, dy mandate dhe kaq, çka nuk do të thotë se domosdoshmërish çdo lider mund t’i “gëzojë” të dy mandatet! Sidomos kur politika nuk të rrit, nuk të pjek, por të mbrun me zakonet e rënda të liderëve tradicionalë. Sapo zemërohen, kur iu prishet interesi vetjak – si burra, si gra në pushtet – nuk janë më të parët, që bilbilonin para kamerave për demokracinë dhe shtetbërjen, duke mbajtur qëndrime “parimore”, gjithnjë në emër parlamentarizmit, pavarësisë së pushteteve etj.. Fjala kompromis është e huaj për ta, ajo është e mirëqenë vetëm po qe në favorin tim. Aq sa dhe fjala tjetër magjike, dorëheqje! Jo, këto nuk janë për politikanët shqiptarë.

Të kuptohemi, problemi nuk janë domosdo vetëm liderët e ekzekutivit apo ata presidencialë, mund të shfaqën dhe nga gjyqësori prokurorë të “fortë”, që në emër të pushtetit që iu jep ligji dhe mbështetjes së ndërkombëtarëve, e mendojnë vetën të pagabueshëm. Mund të jetë diku zelli i tepruar i ndonjërit sosh, mund të jenë mangësitë ligjore, por në sytë e publikut, votuesit, atij që “emëron” dhe gjykatësit e prokurorët, sipas analistëve të fushës juridike është i papërligjur paraburgimi i një njeriu të zgjedhur, të mandatuar për të qeverisur në pushtetin vendor apo qendror, kur nuk ka diçka që vërtetë e rrezikon procesin. Pushtet mbi pushtetet e tjera nuk mund të ketë. As legjislativi. As ekzekutivi. As gjyqësori. Për mendimin tonë, në një shtet demokratik, prangat vend e pavend nuk janë zgjidhja, marrja e pasurive të vëna në mënyrë të paligjshme, duhej të ishte finalja, por që nuk ndodh. I pari për nga rëndësia është qytetari, marrja e shërbimeve dhe e drejtësisë prej tij, pika më kritike e kësaj shoqërie. Rrjolli është drama e të gjithëve. Pasqyra ku qeveria dhe drejtësia duhet ta shohin veten. Atje nuk kanë punë policët, por shtetarët e ekzekutivit dhe të ligjit.

“Rendi” në breg të detit nuk vihet me shkop gome, por me akte ligjore në favor të pronarëve legjitimë. Njerëzit prandaj ikin, ikin, ikin, duke na lënë ne të diskutojmë këtu me ditë e me net, me javë e me muaj… imuniteti, provat, burgu!? Një tërkuzë që nuk mbaron kurrë. Problemi ynë janë gjithnjë procedurat dhe jo thelbi, që ky vend është vjedhur pa “procedura” dhe këtu ndëshkimi lypet të jetë shembullor, veçse me prova të pakundërshtueshme e jo me ato mijëra faqet e dokumenteve të sekuestruara nëpër zyra, shpesh praktika shkresore rutinë të administratës shtetërore. Kësaj i thonë, në një anë “shumë zhurmë për asgjë”, në anën tjetër, atë që është themelore për ekzistencën e një vendi, arat i kemi pa mbjellë thuajse në krejt territorin e republikës!… Mund të vazhdojmë gjatë kështu, por ky është një veçse fejton politik, sa për një fshikullim të dukurisë së pushtetomanisë, individëve keqqeverisës të veshur me pushtet, që i mbajmë ne kaluar, pa iu zënë këmbët në tokë. E tash që morali i fabulës është rrokur nga të gjithë, po përmendim ndonjë emër nga ata liderë që shqiptarët nuk ka qenë e nevojshme me shpëtue prej tyre, si, në fillim e shekullit XX, Ismail Qemali dhe në kohët e vona, Ibrahim Rugova. /Gazeta “Panorama”/