Meta ka prezantuar një funksion të ri të inteligjencës artificiale që ka shkaktuar shqetësime për privatësinë e përdoruesve.
Mjeti i ri i quajtur Muse Image lejon krijimin dhe përpunimin e imazheve me ndihmën e inteligjencës artificiale, por një nga veçoritë e tij më të debatueshme është mundësia që fotografitë e profileve publike në Instagram të përdoren për krijime të reja me AI.
Sipas raportimeve, përdoruesit e tjerë mund të përmendin një profil publik në Instagram dhe të kërkojnë nga Meta AI të krijojë një imazh të ri duke u bazuar në fotografitë e atij personi. Përdoruesi i fotografive nuk merr njoftim kur dikush i përdor ato për krijime të tilla me inteligjencë artificiale.

Funksioni është aktivizuar automatikisht për shumë llogari publike, ndërsa përdoruesit që nuk dëshirojnë që fotografitë dhe videot e tyre të përdoren nga Meta AI mund ta çaktivizojnë këtë opsion në cilësimet e Instagramit.
Për ta bllokuar përdorimin e përmbajtjes nga inteligjenca artificiale, përdoruesit duhet të:
të zgjedhin Settings and Activity (Cilësimet dhe aktiviteti);
të gjejnë seksionin Sharing and Reuse (Ndarja dhe ripërdorimi);
të çaktivizojnë opsionet që lejojnë përdorimin e postimeve dhe Reels nga veçoritë e AI të Meta-s.
Profilet private nuk përfshihen në këtë funksion, pasi përmbajtja e tyre nuk është e disponueshme për krijime të tilla me AI. Megjithatë, ekspertët e privatësisë paralajmërojnë se përdoruesit me profile publike duhet të kontrollojnë cilësimet e tyre për të pasur më shumë kontroll mbi mënyrën se si përdoren fotografitë personale.
Debati rreth këtij funksioni vjen në një kohë kur kompanitë e mëdha të teknologjisë po zgjerojnë përdorimin e inteligjencës artificiale, duke ngritur pyetje të reja për mbrojtjen e të dhënave personale dhe përdorimin e përmbajtjeve të publikuara në rrjetet sociale. /Telegrafi/





