Ballina Nacionale ​Shmangu pagesën për dy fëmijët, dënohet me burgim

​Shmangu pagesën për dy fëmijët, dënohet me burgim

0

Gjykata Themelore në Ferizaj ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të pandehurit F.B., duke e dënuar me një vit burgim për veprën penale “shmangia nga sigurimi i mjeteve për jetesë”.
Aktgjykimi është marrë nga gjyqtari i vetëm gjykues, Shabi Idrizi, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave personale dhe materiale. Dënimi me burgim prej një viti do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.
Sipas aktakuzës, F.B. nga 12 marsi 2019 deri më 25 janar 2023 i është shmangur detyrimit për sigurimin e mjeteve të jetesës për dy fëmijët e tij të mitur, për të cilët kishte obligim ligjor në bazë të një aktgjykimi të formës së prerë të Gjykatës Themelore në Ferizaj.
I pandehuri kishte qenë i obliguar që ish-bashkëshortes A.B. t’i paguante 150 euro në muaj për secilin fëmijë, respektivisht 300 euro në muaj gjithsej, deri në ekzistimin e kushteve ligjore. Megjithatë, ai nuk i kishte përmbushur këto detyrime financiare në emër të alimentacionit.
Palët kanë të drejtë ankese kundër këtij aktgjykimi brenda afatit prej 30 ditësh nga dita e pranimit të tij në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore në Ferizaj.

- Reklamë -