Qeveria e ardhshme e Serbisë synon t’i pastrojë me vendosmëri drejtësinë dhe policinë nga zyrtarët e korruptuar të regjimit të Vuçiqit, thotë për gazetën zvicerane “Südostschweiz” Jovo Bakiq, i cili përflitet si ministër i ardhshëm i Brendshëm.
Profesori i sociologjisë Jovo Bakiq, i cili mund të marrë drejtimin e Ministrisë së Brendshme të Serbisë, paralajmëron një përballje të ashpër me mafien dhe pushtetarët e deritanishëm, transmeton Telegrafi.
Tetë ditë më parë u zgjodhët deputet në parlament si përfaqësues i Listës Studentore. Cilat janë tani sfidat më të mëdha për vendin tuaj?
Serbia sot u ngjan shteteve të Amerikës Latine ku fjalën e kanë kartelet e drogës. Sfida jonë më e madhe është të shkëpusim çdo lidhje të aparatit shtetëror me krimin e organizuar. Ky është parakushti, sepse, përndryshe, të gjitha reformat e tjera nuk do të kenë asnjë efekt.
Si synoni ta arrini këtë?
Së pari, duhet të zëvendësohet udhëheqja e policisë dhe e shërbimeve të sigurisë. Ndaj zyrtarëve që kanë kryer vepra penale dhe kanë marrë pjesë në rrahjet brutale të studentëve do të nisin procedime disiplinore ose penale. Me gjasë do të rikthejmë në shërbim kuadro policore tashmë në pension, me integritet profesional të padiskutueshëm, të cilët mund të trajnojnë punonjësit e rinj të policisë dhe të rifitojnë besimin e humbur të qytetarëve.
Si do ta reformoni drejtësinë pa ndërhyrë në pavarësinë e saj?
Do t’i detyrojmë zyrtarët, pasuria e të cilëve është dukshëm në shpërpjesëtim me të ardhurat e tyre, të bëjnë të ditur prejardhjen e saj. Kush është i zoti të pasurohet në këtë mënyrë, më mirë ta bëjë në sektorin privat sesa në shërbimin civil.
Po shërbimet sekrrte, si do t’i pastroni?
Me gjasë do të na duhet të miratojmë një ligj të posaçëm për të ndarë shapin nga sheqeri në këto shërbime. Të gjithë punonjësit do të duhet të japin llogari për veprimtarinë dhe pasurinë e tyre. Pastaj do të shohim kë do të mbajmë në punë, kë do ta nxjerrim në pension ose ndaj kujt do të nisim hetime.
Javët e fundit janë publikuar mesazhe të deshifruara që tregojnë lidhje të ngushta të pushtetarëve të deritanishëm me kartelet e drogës. A duhet t’u druhet hetimeve udhëheqja e partisë së Aleksandar Vuçiqit?
Në mesazhe përmendet vazhdimisht njëfarë “Oskari”, që të kujton shumë presidentin e deritanishëm. Më duket se ka baza të mjaftueshme që prokuroria, e cila deri tani nuk ka vepruar, të nisë hetime që, sipas gjasave, do ta çonin Oskarin dhe miqtë e tij para gjykatës e më pas në burg.
Ju përmendeni si kandidat për postin e ministrit të Brendshëm. A do të ishit të gatshëm ta merrnit këtë detyrë?
Ende nuk e di nëse do të jem deputet apo ministër. Por, si ministër i Brendshëm, do të bëja gjithçka që çdo zyrtar i regjimit të vjetër, i dyshuar për vepra penale, të përgjigjej para gjykatës dhe, nëse i provohet fajësia, të përfundonte pas hekurave. Me gjasë do të na duhet të rrisim kapacitetet e burgjeve.
Mali i Zi prej vitesh përpiqet ta bëjë më efikase luftën kundër mafies. A do të mbështeteni në këto përvoja?
Po, natyrisht! Do të bashkëpunojmë shumë ngushtë me Malin e Zi në luftën kundër krimit të organizuar, por edhe në planin politik. Pres marrëdhënie më të mira se deri tani edhe me shtetet e tjera fqinje. Protestat e përbashkëta studentore i kanë përmirësuar jashtëzakonisht marrëdhëniet mes serbëve dhe boshnjakëve në Serbi, dhe kjo mund t’u japë një hov të ri edhe marrëdhënieve tona me Bosnjë-Hercegovinën.
Si do të jenë në të ardhmen marrëdhëniet e Serbisë me Kosovën?
Ne nuk mundemi dhe nuk do ta njohim Kosovën. Sipas Kushtetutës, ajo është pjesë përbërëse e vendit tonë. Por do të përpiqemi t’i përmirësojmë sa më shumë marrëdhëniet me Prishtinën. Koha e luftërave ka marrë fund prej kohësh. Dialogu është e vetmja rrugë. Por për këtë duhen gjithmonë dy palë.
BE-ja e ka përkëdhelur për vite me radhë Aleksandar Vuçiqin, e megjithatë Serbia është larguar gjithnjë e më shumë prej saj. Si do të zhvillohen në të ardhmen marrëdhëniet e Serbisë me BE-në?
Do të bëjmë gjithçka për t’i përmirësuar marrëdhëniet tona me BE-në dhe këtë do ta bëjmë me shumë më tepër sinqeritet sesa regjimi i deritanishëm. Vuçiqi thoshte gjithçka që BE-ja donte të dëgjonte, ndërkohë që e mbushte vendin me nacionalizëm primitiv kundër fqinjëve.
Lista Studentore nuk duket shumë homogjene. A besoni se do të qeverisë për më shumë se një mandat?
Jo. Tek ne përfaqësohet i gjithë spektri, nga e majta në të djathtë; dallimet janë thjesht shumë të mëdha. Vështirë se mund të qëndrojmë bashkë për më shumë se katër vjet. Por na bashkon vullneti për ta nxjerrë vendin nga gjendja e pakontrolluar e një Perëndimi të Egër dhe për ta rikthyer në botën e qytetëruar, në kushtet e shtetit të së drejtës, ku respektohen Kushtetuta dhe ligjet./Telegrafi/